Një punonjëse e një fabrike fasonerie në Kavajë ka denoncuar në VoxNews një praktikë që, sipas saj, po rëndon padrejtësisht mbi rreth 100 punëtorë të kompanisë “Remal shpk”.
Sipas denoncimit, deri më tani transporti për në vendin e punës ka qenë i organizuar dhe i mbuluar nga fabrika.
Por në një mbledhje të zhvilluar së fundmi, punonjësit janë njoftuar se duke filluar menjëherë, secili prej tyre duhet të paguajë 100 lekë në ditë për të njëjtin shërbim transporti, i cili konsiderohet i domosdoshëm për të mbërritur në punë.

Punonjësja shprehet se kjo shumë do të mbahet direkt nga paga mujore, duke bërë që të ardhurat reale të zbresin nën nivelin e pagës minimale, çka sipas saj e bën çdo “rritje” formale page të pavlefshme në praktikë.
“Unë dhe kolegët e mi punojmë në këtë fabrikë prej kohësh. Transporti ka qenë i paguar nga kompania. Tani na kërkohet të paguajmë 100 lekë në ditë, ndryshe nuk mund të përdorim autobusin e punës. Kjo është e padrejtë dhe bie ndesh me Kodin e Punës dhe ligjin për pagën minimale”, shprehet ajo.
Sipas saj, më datë 23 disa punonjës kanë kthyer mbrapsht paratë e rrugës, pasi sapo janë njoftuar për pagesën e re dhe kanë refuzuar të përdorin autobusin e kompanisë, duke gjetur mënyra alternative për të ardhur në punë.
Megjithatë, atyre u është kërkuar të paguajnë edhe transportin e muajit janar, me argumentin se e kanë përdorur autobusin gjatë atij muaji.
“Është absurde të na kërkohen edhe lekët e janarit, kur vendimi është marrë më pas”, thuhet në denoncim.
Punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe një kontroll nga Inspektorati i Punës, duke kërkuar që çdo verifikim të kryhet në mënyrë anonime, pasi shprehen se kanë frikë nga hakmarrja apo pasojat në vendin e punës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016