Një vendim i Komisionit të Prokurimit Publik ka nxjerr zbuluar Dritan Agollin, kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në lidhje me paracaktimin e një tenderi me vlerë prej 5.4 milionë euro. Vendimi hedh dritë mbi kriteret e vendosura nga FSHZH-ja, të cilat duket se ishin favorizuese për dikë dhe diskriminuese për pjesën tjetër.
Akuza të rënda nga një organ shtetëror ndaj një tjetri, që padyshim që meritojnë një hetim të plotë dhe gjithanshëm, pasi kemi të bëjmë me kryerjen e disa veprave penale, nga drejtues të Fondit. Madje me dëme të konsiderueshme ekonomike për buxhetin e shtetit.
Redaksia e Vox News ka hulumtuar dokumente nga Agjencia e Prokurimit Publik, por edhe KPP-ja, të cilat flasin për një paracaktim të tenderit për rehabilitimin e vijës bregdetare në Durrës, para’ të cilat janë hedhur prej shumë vitesh, në përpjekje për të ndihmuar firmat arabe, apo nënkontraktorët e tyre, që po bëjnë pallate në territorin e Portit të Durrësit.

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e Vox News, disa muaj më parë, FSHZH hapi tenderin me vlerë “ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit, Bashkia Durrës”.
Ishte një tender për mbushjen e vijës bregdetare me rërë, teksa fondi i procedurës ishte plot 540 milionë lekë.
“Arsyet e anulimit është për shkak të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, të datën 10 shkurt 2026, administruar në FSHZH në datën 13 shkurt 2026. Është vendosur që autoriteti kontraktor të anulojë procedurën e prokurimit”, thuhet në dokument.

Vox News shfletoi vendimin e KPP-së, ku bëhet me dije se firma ankuese ishte Lis Konstruksion, e cila në këtë tender dha një ofertë prej 450 milionë lekësh. Më shumë sesa oferta, kjo kompani u ankua për kriteret e vendosura në dokumente.
Mësohet se, në tender morën pjesë 20 kompani dhe vetëm 3 prej tyre u kualifikuan. Ndër të kualifikuarat ishte firma Curri, që u shpall edhe fituese, gjithashtu edhe kompania FUSHA, e cila ka qenë gjithmonë e “preferuara” e Tan Agollit.
Ndërkohë, në dokumente shkruhet se kriteret e përzgjedhjes së fituesit ishte oferta ekonomikisht më e favorshme e bazuar në kosto dhe aftësia organizative, kualifikimi dhe përvoja e stafit për punime specifike shtesë.
“Operatori ekonomik për të vlerësuar për këtë kriter duhet të provoje se zotëron merita teknike, aftësi organizimi, kualifikimi dhe përvojën të stafit që është emëruar ne eksperiencat e mëparshme të ngjashme në kryerjen e punimeve dhe volumeve specifike si më poshtë: - Punime për shtrim me beton të larë me sipërfaqe jo më pak se 48,434 m² për kontrata të kryera gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në vendimin e KPP-së.
Më tej Komisioni shkruan se, hartimi i kriterit të kualifikimit dhe ai i përzgjedhjes së fituesit, janë në mospërputhje mbi dokumentacionin e kërkuar, i cili përbën shkak për anulimin e kësaj procedure prokurimi, duke krijuar konfuzion mbi përmbushjen e tyre dhe i vendos në kushte pabarazie ofertuesit e interesuar.


I njëjti komision gjykon se, hartimi i strukturës së preventivit jo në përputhje me aktet ligjore/nënligjore në fuqi të legjislacionit të posaçëm të ndërtimit përbën shkak për anulimin e kësaj procedure prokurimi.
“Në këtë kuptim autoriteti kontraktor duhet të anulojë procedurën e prokurimit objekt-ankimi dhe në rishpalljen e saj të mbajë në konsideratë parashikimet e këtij vendimi”, pohon Komisioni, duke i dhënë një “shuplakë” të rëndë vetë Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Fakte konkrete, ku një zyrtar i lartë, që prokuron dhjetëra miliona euro në javë, kapet me shkelje të rënda. Por, nëse herën e parë quhet gabim, të dytë përsëritje e gabimit, të tretën ka gabuar punonjësi, po herën e 5-të, 10-të apo të 100-të?! A ka faj titullari i këtij autoriteti në gjithë këto shkelje?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016