Fjalimi mbi 100 minutësh i Edi Ramës përballë deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ishte i mbushur me figura letrare, metafora, krahasime, satirë dhe ironi dhe të paktën në fasadë, atij i mungoi mesazhi i drejtpërdrejt në lidhje me temën e ditës: vendimmarrjen për imunitetin e Belinda Ballukut.
Për këtë çështje, Rama tha se do të presë raportin e Këshillit të Imunitetit, që socialistët ja kanë besuar Ulsi Manjës. Ky ishte mesazhi publik, që po të shoqërohet me pjesën tjetër të fjalës së kryesocialistit sugjeron se Rama i ka treguar derën Belinda Ballukut.
Si? Kryeministri e përqëndroi fjalën e tij te mesazhi ndaj grupit parlamentar për të ndërhyrë në legjislacion, përkatësisht në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal. Ndërhyrja do të synojë më shumë garanci për ministrat dhe administratën përballë hetimeve të SPAK.
Duke u kujtuar numrat në Kuvend, Rama tha se këto ndryshime nuk duhen interpretuar si përballje me drejtësinë e re, por korrigjim të reformës dhe atyre që ai i cilësoi dëme kolaterale.
E thënë në këtë kontekst, ndryshimet e paralajmëruara nga Edi Rama, gjithmonë nëse do të miratohen, nuk do të kenë efekt prapaveprues për të mbrojtur Belinda Ballukun, por ato u ofrohen grupit parlamentar dhe socialistëve të tjerë si një premtim në të ardhmen.
Kjo do të thotë se vendimmarrja politike e Edi Ramës për Belinda Ballukun është marrë tashmë dhe premtimi për më shumë garanci në të ardhmen për të vetët përballë hetimeve të SPAK është më tepër një përpjekje e tij që të mbajë të bashkuar partinë dhe sidomos deputetët e njohur si mbështetës të Belinda Ballukut brenda grupit parlamentar të PS-së.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016