"Për rrethana të paparashikueshme", Tan Agolli anulon "resortin" 4.6 mln euro të denoncuar nga Vox News në Divjakë!

3 Mars 2026, 17:18Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Agolli

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka anuluar ndërtimin e resortit me 5 yje në Divjakë, një tender i denoncuar nga Vox News disa muaj më parë. Duket se projekti ka pasur kundërshtitë edhe në zyrat e vetë shtetit, pasi në dokumentet dhe fotot e publikuara nga redaksia jonë vetëm si investim shtetëror nuk dukej, por si një hotel luksoz, i cili pritej të menaxhohej nga disa persona që qëndronin pas Agollit.

Megjithëse emri i projektit ishte "ferma e dijes dhe ullishtes", në realitet ndërtimi parashikonte dhoma luksoze hoteli, restorant dhe pishinë. Çfarë ferme do ndërtohej me gjithë këtë luks? Kujt do t'i shërbente gjithë ky investim me vlerë disa miliona euro? Banorëve të zonës, fermerëve apo biznesmenëve të tjerë?!

"Për rrethana të paparashikueshme", Tan Agolli anulon
Faksimile: Njoftimi i anulimit të tenderit nga FSHZH

Ditët e fundit, disa javë pas investigimit të publikuar, Agolli ka bërë prapaktheu. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka anuluar me shpejtësi tenderin e hapur në muajin gusht të vitit të kaluar.

Objekti i procedurës ka qenë "ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara  në zona me potencial zhvillimi, Divjakë". Ndërkohë që Fondi shkruante se me 4.6 milionë euro do të ndërtohej "ferma e dijes dhe agroturizmit të ullishteve, Divjakë”.

"Arsyet e anulimit janë për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar", thuhet në dokumente.

Më tej jep edhe një informacion shtesë. "Për shkak të pamundësisë financiare të bashkisë për realizimin e procesit të shpronësimit, FSHZH nuk mund të vijojë me ecurinë e mëtejshme të procesit të prokurimit për finalizimin e kontratës dhe zbatimin e projektit", përfundon dokumenti.

Por, a nuk e kishte parashikuar më parë këtë proces?!

Më shumë se tërheqja e Bashkisë së Divjakës, ajo që vjen erë në gjithë këtë proces ishte investimi. Si mund të bësh një resort të tillë me lekët e shtetit, të taksave, për një grup personash?

"Për rrethana të paparashikueshme", Tan Agolli anulon
Në foto: Denoncimi i Vox News për resortin e Tan Agollit në Divjakë

Disa javë më parë, redaksia jonë denoncoi këtë projekt, tashmë të anuluar në Divjakë. "Dritan Agolli, kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është kthyer në një biznesmen të mirëfilltë, megjithëse me turizëm merret djali dhe bashkëshortja e tij. Tashmë në krye të një institucioni shtetëror, ai ka bërë një mori ndërtesash, brenda të cilave ka bërë bare, restorante apo hotele", ishte denoncimi, që vijonte se Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte hapur një tender me një vlerë të madhe për hotelin në fjalë.

"Për rrethana të paparashikueshme", Tan Agolli anulon

"Për rrethana të paparashikueshme", Tan Agolli anulon
Në foto: Projekti që do të ndërtonte FSHZH në zonën e Divjakës, me vlerë 4.6 milionë euro

Vox News hulumtoi dokumente dhe foto se në një kodër në Divjakë do të ndërtohej një godinë të madhe dykatëshe, me punime guri dhe druri. Fotot e projektit më shumë ngjasojnë me një resort luksoz, sesa me një fermë. Resorti do të ketë dhoma hoteli, restorante, bare apo edhe pishinë. “Ndërtesa kryesore, e dizajnuar me kujdes për të ndërthurur estetikën moderne me elementet natyrore, qëndron në harmoni të plotë me peizazhin përreth”, shkruan projektuesi.

Sipas saj, ullishtat e gjelbërta shtrihen në të gjithë zonën, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe edukative. “Pishina e integruar dhe tarracat e gjelbëruara shtojnë një prekje të qëndrueshme dhe luksoze, duke bërë këtë fermë një destinacion unik agro-turistik”, thuhej në dokumente. Ky masterplan dhe projekt teknik ishte financuar nga Bashkia e Divjakës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video