Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano u ndërpre pasi kompania e vetme e mbetur në garë është tërhequr nga procesi.
Kompania Archirodon, e cila nuk paraqiti ofertë financiare brenda afatit të përcaktuar më 9 mars, duke bërë që procedura të mos vijojë më tej.
Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i konsideruar kyç për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe ekonominë e vendit.
Lidhur me këtë tërheqje ka reaguar edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Karakaçi bëri me dije se tërheqja e ofertuesit të fundit lidhet me arsye ekonomike, kryesisht me rritjen e kostove të projektit si pasojë e krizës dhe shtrenjtimit të përgjithshëm të tregut.
Ai tha se projekti do finalizohet, por pa dhënë një datë.
Megjithatë, ndonëse gjithcka është kthyer në pikën zero, Porti në letër na ka “ngrënë” deri më tani miliona euro.
Tenderi për projektimin
Më 12 shtator 2022, Qeveria Shqiptare shpalli tenderin me objekt Hartimin e Projektit të Detajuar Teknik (Detailed Design) të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano. Burimi i financimit ishte nga fondet e vetë institucionit.
Fondi limit: 1.36 miliard lekë (rreth 13.8 milion euro) Ky fond u rrit me rreth 20% me vendim të publikuar në Buletinin nr. 129, viti 2022, që kapi shifrat e rreth 17 milionë eurove.
Kontratë konsulence
Historia e tenderit për ndërtimin e Portit të Ri të Durrësit nisi me fitues të përcaktuar, në projektim, konsulencë dhe ndërtim, të cilët ishin: në projektim Royal Haskoning, në konsultim tenderimi Royal Haskoning, dhe në ndërtim Archirodon (Qipro).
Haskoning ishte dhe fituesja e projektit dhe fituesja e konsulencës, duke marrë të drejtën e tenderimit me vlerë 12 milionë euro, një procedurë që ligjërisht i takon autoritetit kontraktor.
Shpronësimet kushtojnë 8.2 milionë euro
Qeveria do të paguajë 815 milionë lekë ose 8.2 milionë euro për të shpronësuar pronarët privatë, të cilëve u është marrë toka për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.
Këto para i janë paguar kompanisë që ka hartuar projektin e Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano.
Tenderi për ndërtimin e Portit në Porto Romano ishte me vlerë 400 mln euro dhe financim nga Buxheti i Shtetit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016