Në datën 30 janar 2026, qindra banorë të kompleksit “Mangalem” në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, i janë drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, në Bashkinë e Tiranës, për të marrë masa dhe për të vendosur kufizues shpejtësie në dy rrugët e brendshme të kompleksit, të cilat shërbejnë si pedonale, por që tashmë janë kthyer në rrugë kalimi të mjeteve.
Çdo ditë, qindra për të mos thënë mijëra mjete të të gjitha kalibreve, apo edhe motoçikleta, lëvizin në pedonalet e brendshme, duke rrezikuar seriozisht jetën e fëmijëve dhe kalimtarëve të tjerë. Megjithë këto shkresa, drejtorët përtacë, arrogantë dhe burokratë të Bashkisë së Tiranës, duke filluar nga ai i Rrugëve apo Sinjalistikës, bëjnë vetëm shkresa boshe dhe letërkëmbime pa marrë asnjë masë konkrete, duke i ekspozuar fëmijët çdo ditë apo orë nga rreziku i aksidenteve të mundshme.
Situata është agravuar muajt e fundit, pasi çdo javë raportohen pranë Policisë Bashkiake apo në Policinë Rrugore raste të dëmtimeve dhe rreziqeve që iu kanosen banorëve, ndërsa të dyja këto polici, justifikohen se “kemi në dorë vetëm gjoba”, teksa zgjidhja përfundimtare i takon pikërisht Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, në Bashkinë e Tiranës.


Duke marrë shkas nga tragjedia e Durrësit, ku dy të mitur humbën jetën në trotuar nga një shofer i papërgjegjshëm, banorët e kompleksit “Mangalem” kanë protestuar pasditen e datës 5 maj 2026, teksa njëzëri kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme nga institucionet shtetërore për bllokimin e kalimit të mjeteve në këto pedonale. Banorët kërkojnë vendosjen e një trau në hyrje të dy pedonaleve, si dhe kufizues shpejtësie në gjithë gjatësinë e këtyre rrugëve të brendshme, të shtruara me pllaka, si një masë paraprake.
“Këto janë pedonale, s’janë për mjetet motorike. Këtu luajnë fëmijë, të të gjitha moshave. Makinat ecin me shpejtësi, kemi parë që janë edhe të dehur. Ku është policia e Shtetit apo ajo Bashkiake, ku janë këto drejtoritë, përse nuk marrin masa”, thotë një banor për Vox News.
Ndërkohë, të tjerë pohojnë se, Bashkia e Tiranës është inegzistente në këtë kompleks, duke mos marrë asnjë masë si për rrugët hyrëse, por më skandaloze për pedonalet e brendshme. “Kur do kujtohen këta, kur të ndodhë ndonjë masakër? Kërkojmë tani veprim, që të mos përsëritet ngjarja e Durrësit. I kemi paralajmëruar, vetëm tani na ngelet që t’u bëjmë kallëzim penal. Lejet e ndërtimit për pallate i firmosin me vrap, kurse masa për fëmijët nuk marrin. Mirë që nuk kanë lënë asnjë park, por edhe këto pak vende që luajnë dhe qëndrojnë fëmijët, kalojnë makinat”, thotë një tjetër.

Bashkia e Tiranës, apo drejtoritë vartëse të saj, janë paralajmëruar për rrezikun dhe kërkesat e banorëve, që në datën 30 janar 2026. Kompania që administron kompleksin, pas kërkesave të shumta të banorëve, i nisi një letër, duke i shkruar mjaft qartë se “para se të jetë shumë vonë”.
Pikërisht, para se të jetë shumë vonë dhe ngjarje si ajo e Durrësit të mos përsëriten, koha e veprimit duhet të ishte dje, pasi sot, aq më tepër nesër, mund të jetë shumë vonë!
“Në kompleks janë mbi 1100 apartamente, qindra njësi shërbimi dhe parkimi nëntokë. I gjithë kompleksi ka një unazë kalimi të automjeteve, rrugë e cila është e miratuar edhe nga Këshilli Bashkiak. Ndërkohë, në vijimësi, por veçanërisht kohët e fundit, është bërë tejet shqetësuese kalimi i autoveturave, furgonëve apo edhe motoçikletave me shumë shpejtësi në dy rrugët e brendshme, të cilat janë ‘rrugë emergjence’ dhe jo kalimi”, thuhej në shkresë.



Më tej vijonte se ato nuk janë rrugë për të kaluar automjetet, pasi janë të shtruara me pllaka dhe jo me asfalt. Ato shërbejnë si pedonale dhe gjatë gjithë kohës ka lëvizje të këmbësorëve. “Madje, në këto rrugë të brendshme luajnë fëmijë, duke i përballur ta me një rrezik nga aksidente të mundshme. Banorët kërkojnë nga Bashkia Tiranës, si institucioni vendor që menaxhon hapësirën e brendshme të kompleksit, marrjen e masave për të parandaluar ngjarje të mundshme aksidentale.
Për këtë arsye, kërkojmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Bashkia Tiranë, që të vendosë bllokues lëvizjesh të automjeteve në dy rrugët e brendshme. Të vendosen kufizues shpejtësie në pedonale. Bllokimi të bëhet me orar”, vijon dokumenti.
Madje, kompania ishte e gatshme që të bashkëpunonte në çdo rast me Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë e Rrugëve dhe Ndriçimit, apo edhe me çdo institucion varësie po të Bashkisë së Tiranës, që të marrë masa për të vendosur këto masa kufizuese të lëvizjes së automjeteve në brendësi të kompleksit.
“Jemi të gatshëm që në rast emergjence, autoambulancë, zjarrfikëse, apo policie, të marrim masa për hapjen e rrugës, qoftë me komandim apo edhe me personel. Para se të jetë tepër vonë, Ju lutemi bashkarisht që të bashkëpunojmë për eleminimin e rrezikut për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët, në dy rruget e brendshme”, përfundonte letra e fundit të janarit.

Por, a morën masa duke qenë se kanë kaluar më shumë se 3 muaj? Absolutisht jo, madje bëjnë shkresa boshe dhe, jo vetëm që s’kanë vendosur bllokues të lëvizjeve, por s’kanë marrë mundimin që të vendosin as kufizues shpejtësie në tokë. Në datën 9 shkurt 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, i ka kthyer një përgjigje firmës që administron kompleksin.
“Referuar shkresës suaj, të datës 30 janar 2026, mbi vendosjen e elementëve kufizues të sigurisë, në kuadër të ndërgjegjësimit për uljen e shpejtësisë së automjeteve e mirëfunksionimit të qarkullimit për lëvizjen e lirë të këmbësorëve në brendësi të kompleksit ‘Mangalem’, në rrugën ‘Pasho Hysa’. Nga sa më sipër kërkesës suaj, ju informojmë se Drejtoria e Sinjalistikës Rrugore është në pritje të shkresës zyrtare nga Drejtoria e Transportit dhe Trafikut Rrugor. Pas ardhjes së planshetës nga kjo drejtori, realizohet implementimi i sinjalistikës nga ana e specialistëve të Drejtorisë së Sinjalistikës Rrugore”, thuhet në shkresë.
Letra boshe, të cilat datojnë që në datën 9 shkurt 2026, ndërkohë që kanë kaluar plot 3 muaj, dhe këto drejtori burokrate, me këta drejtorë po burokratë e ndoshta përtacë, nuk kanë marrë asnjë masë. Në fund të shkresës është edhe emri dhe firma e drejtorit Piro Sinjari, ndërsa edhe drejtorët e tjerë, as e kanë marrë mundimin që të veprojnë. Ndaj, dhe banorët e kompleksit, protestuan, ndërsa në ditët në vijim, protesta do të përshkallëzohet. Nëse nuk vendos shteti, atëherë banorët do të veprojnë vetë!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016