Prokuroria e Posaçme ka goditur disa “peshkaqenë” në dosjen AKSHI, teksa nën hetim janë edhe disa “peshq të mëdhenj”, ndërsa janë pyetur edhe “cironkat”. Deri më tani është zbuluar një skemë se si paratë publike tjetërsoheshin në disa duar, pa bërë asnjë punë, ku përfundonin në llogari private bankare apo për blerjen e pasurive të paluajtshme.
SPAK-u ka finalizuar ditët e fundit sekuestrimin e një pasurie marramendëse për anëtarët e dosjes AKSHI, ku nuk mungojnë edhe pasuritë e “viktimës” Daniel Shima, ish-zëvendës drejtor, i cili në bashkëpunim me të tjerë, krijoi dhe pastroi paratë.
Vox News ka analizuar dokumente të shumta, vendime apo procedura tenderuese, ku rezulton se, pas një firme që ka fituar dhjetëra miliona euro, qëndron një individ, biznesmen, i cili deri më tani ka dalë në disa pasazhe, por jo drejtpërdrejt. Bëhet fjalë për Laert Kasajn, i cili në dokumentet e para të SPAK-ut rezulton se zotëron nëpërmjet familjarëve pronar i kompanisë “Ratech”.
Ndërkohë, së fundmi, Vox News ka mësuar se edhe pas kompanisë “Albascan”, që ka fituar dhjetëra miliona euro nga AKSHI, qëndron sërish Laert Kasaj. Në këtë kompani, qëndron një prestanome i Kasajt, i quajtur Elison Jorgjis, i cili me letra figuron pronar me 50 % i kësaj firme, teksa pjesën tjetër po 50 % të firmës e ka i afërmi i tij.

Vox News ka mësuar se, në datën 8 janar 2026, është pyetur shtetësja Migena Schroeder, pronare e firmës “AESS”, e cila ka deklaruar se në vitin 2022, është kontaktuar nga ish-nëndrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, për ta takuar. Ai i ka kërkuar Migenës që të bëhej pjesë e një projekti, të quajtur ‘Smart lab”, që do të instalohej në shkolla.
Para se të bëhej tenderi, pa u hapur zarfet e gjithçka tjetër, Danieli i ka thënë se projekti do të realizohej nga shoqëria “Albascan” dhe se Migena duhet të takonte me përfaqësuesin e firmës, Elison Jorgji. Arsyeja ishte se kjo kompani kishte ekskluzivitetin e disa pajisjeve, teksa Danieli donte që AKSHI të krijonte një imazh të mirë, duke përdorur kompani amerikane.
Në tender duket bashkëpunimi mes Albascan dhe firmës së Migenës, madje edhe kalimi i parave nga njëra firmë te tjera. Pagesa ryshfetesh, të hetuara nga SPAK-u, që hedhin dritë mbi abuzimin e frikshëm të zyrtarëve apo biznesmenëve që qëndrojnë nga pas.
Ajo ka takuar Karçanajn, Beqirin apo edhe Jorgjin, teksa në një rast i kanë thënë se “ke hyrë në një pishinë peshkaqenësh”.

Vox News ka analizuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, ku detajohet se SPAK-u ka sekuestruar llogaritë e shtetasit nën hetim Gëzim Hoxha, në shumën e 123 milionë lekëve. Janë sekuestruar pasuri në vlerën e 410 milionë lekëve të subjektit Fastech, në pronësi të Andis Papa.
Në dosje citohet se, në ngarkimit të personit nën hetim Elision Jorgji është sekuestruar një shumë prej 100 milionë lekë, ose rreth 1 milionë euro, që i përkisnin kompanisë Albascan. “Këto shumë respektive, do të bllokohen, pasi përbëjnë produkte të veprës penale të korrupsionit aktiv” thuhet në dosje.
Ndërkohë, çuditërisht deri më tani s’ka dalë në vendime gjyqësore emri i Laert Kasajt, teksa nuk përjashtohet një vendimmarrje e afërt e Prokurorisë së Posaçme për këtë emër. Vox News ka informacione se SPAK-u do të marrë shumë shpejt një vendim, teksa deri më tani është njoftuar zyrtarisht se prestanome i tij, është nën hetim dhe i është sekuestruar një shumë prej 1 milionë eurosh.

Para disa muajsh, Vox News publikoi një investigim me titullin “Laert Kasaj në grupin kriminal të AKSHI-it, Gerond Meçe u mor peng edhe për llogari të tij”. Emri i tij figuron në dosjen e parë të SPAK-ut, ku faktohen veprimet e një tjetër anëtari të grupit kriminal, i cili është as më shumë e as më pak por një tjetër biznesmen i fuqishëm, Laert Kasaj, i cili nëpërmjet firmës së tij ka vepruar.
Në dosje shkruhet mjaft qartë se, gjatë kohës që Gerond Meçe është marrë peng, pengmarrësit kanë kontaktuar me administratorin e shoqërisë së tij, duke e “urdhëruar” që të tërhiqet nga ankimi në KPP në disa procedura. Në datën 18 gusht 2025, është bërë një urdhër për heqjen nga pezullimi i procedurës së prokurimit, ku Komisioni më pas ka shpallur fitues operatorin ekonomik “Ratech” shpk. Pikërisht, pronari i kësaj firme është Laert Kasaj, i cili tashmë ia ka kaluar fiktivisht aksionet një të afërmi, me të njëjtin mbiemër.
Këto veprime të pengmarrësve e kanë ndihmuar së tepërmi “Ratech” të fitojë tenderin e majmë, ku të gjithë anëtarët e grupit kanë vepruar me shpejtësi, në disa raste të fitonte Ermal Beqiri dhe në këtë rast të fitonte para Laert Kasaj. Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se, kompania “Ratech” me ndihmën e pengmarrësve të Gerond Meçes, i kanë dhënë në “tavolinë” biznesmenit Laert Kasaj plot 71.996.600 lekë. Mësohet se oferta e tyre ka qenë afërsisht 12.000.000 lekë më shumë sesa oferta e operatorit Advance Business Solutions, ABS.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.