“Dokumentet kanë mangësi”, ARRSH anulon tenderin e rrugëve 46.5 milionë euro të denoncuar nga Vox News!

20 Prill 2026, 18:32Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto montazh - Vox News

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka anuluar tenderin e majmë prej 46.5 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve, një nga procedurat më të majme të akorduara ndonjëherë në Shqipëri, teksa synimi ishte që këto akse që shemben vazhdimisht të kishin performancë më të mirë. Procedurat janë denoncuar një muaj më parë nga Vox News, duke hedhur hije të mëdha dyshimi se fatura ishte tepër e fryrë dhe nuk korrespondonte me vlerat e akorduara në të kaluarën.

Duket se, paralajmërimet e redaksisë sonë kanë qenë tepër të sakta, që nga vlera ashtu edhe nga rrugët, pasi nuk ka pasur specifikime se çfarë do të bëhej, ku dhe kur do të mirëmbahej, apo detaje të tjera. Zyrtarisht, vetë Kozeli shkruan në dokumente se arsyeja ka qenë “nga brenda”, por ndërhyrjet apo edhe presioni i vetë SPAK-ut kanë sjellë që prapaktheu, duke qenë se paraardhësit e tij në atë detyrë janë në burg, të hetuar, në arrest shtëpie apo edhe disa të dënuar në të kaluarën.

“Dokumentet kanë mangësi”, ARRSH anulon tenderin e

“Dokumentet kanë mangësi”, ARRSH anulon tenderin e
Faksimile: Njoftimi i anulimit të tenderit prej 46.5 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri

Në datën 20 prill 2026, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik njoftimin e anulimit të tenderit të kufizuar, marrëveshje kuadër për shërbime publike. Objekti i kontratës është “mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të katër rajoneve (4 lote)”.

Vlera totale e të katër lotëve ka qenë plot 46,635,974 euro. Kontrata e parë ishte mirëmbajtja e akseve në rajonin jugor, me vlerë 8.2 milionë euro. E dyta ka qenë mirëmbajtja e akseve në rajonin qendror dhe verilindor me vlerë 11.5 milionë euro. Ndërkohë, loti i tretë ka qenë mirëmbajtja e akseve në rajonin qendror dhe juglindor, atje ku ndodhi edhe shembja në Librazhd, me vlerë 14.3 milionë euro. Loti i katërt ka qenë për akset e rajonit jugor me vlerë 12.3 milionë euro.

Në dokument, ARRSH shkruan se arsyet e anulimit të tenderit, janë për shkak se “konstatohen se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”. Nuk jepen dokumente shtesë, as arsye, duke hedhur hije dyshimi se letrat ishin bërë për “firma të preferuara”, ato që mirëmbajnë gjithmonë këto akse apo ato që kanë njerëz deri sipër në qeveri.

“Dokumentet kanë mangësi”, ARRSH anulon tenderin e
Faksimile: Denoncimi i Vox News për tenderin e majmë të mirëmbajtjes së rrugëve

Në datën 24 mars 2026, Vox News publikoi një investigim se “një faturë tepër e kripur prej 46.5 milionë eurosh do të shpenzohej nga qeveria shqiptare për të mirëmbajtur rrugët kombëtare”. Në atë kohë, redaksia jonë denonconte se “vlera e akorduar është nga më të mëdhatë ndonjëherë në Shqipëri, teksa shënon një rritje tepër të madhe në krahasim me vitin që kaluam, megjithëse gjatë këtyre kohëve ka pasur një mori shembjesh dhe problematika në akset e rindërtuara së fundmi”.

 

Koha e ka treguar se mirëmbajtja e këtyre akseve është bërë sa për sy e faqe, me barriera të prishura, asfalt të çarë e me gropa. Gjithashtu me shembje në shumë akse dhe askush nuk mban përgjegjësi. Më shumë sesa vlera që kanë akorduar, duhet që këta shtetarë në fillim të rregullojnë dhe të plotësojnë dokumentet duke i detyruar firmat për të qenë sa më prezente në rrugë dhe jo të dërgojnë 2 a 3 punëtorë për të hequr vetëm barërat e këqija buzë akseve kombëtare.

Por, çfarë do të mirëmbajë ARRSH, akset që u shembën?!

Natyrisht, pas kësaj vlere të madhe lindin shumë pyetje, duke qenë se në 2 vitet e fundit, disa rrugë janë shembur, të tjera me plasaritje dhe disa tunele të ndërtuara rishtazi kanë pasur probleme. Mësohet se gjatë 24 muajve të fundit janë regjistruar më shumë se 30 raste shembjesh dhe rrëshqitjesh në akset rrugore, disa me shembje të pjesshme të trupit të rrugës, të tjerat me rrëshqitje dheu dhe në disa raste çarje dhe deformime të asfaltit.

Ka pasur probleme në rrugën e re Korçë-Ersekë, në aksin Elbasan – Librazhd, në Maliq – Lozhan, Përmet – Çarshovë apo shembja e disa javëve më parë në rrugën Librazhd – Prrenjas. Probleme ka pasur edhe në zonën e Ujit të Ftohtë në Tepelenë apo edhe në aksin e inauguruar 1 vit më parë, Qukës – Qafë Plloçë. Shembje ka pasur edhe Rruga e Arbrit, rruga e Lurës apo edhe Unaza e Burrelit.

Gjithashtu probleme ka pasur edhe në tunelin e “florinjtë” të Llogarasë, ku u raportuar probleme strukturore, tuneli i Murrizit apo vërshimi i ujërave në tunelin e aksit Kardhiq – Delvinë. Madje, në disa prej këtyre tuneleve, ARRSH ka hapur tendera për rregullimin e tyre. Duket se, arsyet e këtyre problemeve kanë qenë bërja e projekteve, në shumë raste të dobëta gjeologjike. Gjithashtu edhe ndërtimet e tyre me cilësi të ulët, teksa nuk ngel pas as mbikëqyrja apo mirëmbajtja.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video