Hija e Beqirit përballë Meçes - Prapaskenat e anulimit të tenderit 2.1 milionë euro të sistemit konsullor!

30 Mars 2026, 23:58Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ermal Beqiri dhe Gerond Meçe

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është bërë epiqendra e vetë shtetit, ku nga njëra anë institucionet qendrore kërkojnë sisteme elektronike dhe nga ana tjetër institucionet ligjzbatuese kanë gjetur një mori shkeljesh, duke ngritur akuzë ndaj disa zyrtarëve dhe pronarëve të firmave private. Çdo javë, kjo agjenci akordon dhjetëra miliona euro për procedura të reja apo mirëmbajtjen e sistemeve të vjetra, ndërkohë po gjatë këtyre javëve në zyrat e BKH-së apo SPAK-ut ngrihet akuzë dhe verifikohen një mori shkeljesh.

Të gjithë janë vënë pas parasë, ku shtetarët po mundohen të vjedhin sa më shumë, teksa hetuesit po mundohen të gjurmojnë këto para’. Megjithëse janë bërë disa aksioneve policore apo edhe të prokurorisë, sërish ka intriga dhe prapaskena në tenderat që po bën aktualisht AKSHI, teksa aktorët që marrin pjesë apo kundërshtojnë njëri–tjetrin janë të njëjtë. Sërish, në krye të kësaj “skeme” qëndrojnë biznesmenët Ermal Beqiri dhe Gerond Meçe, i pari në kërkim dhe i tyri deri më tani në rolin e pengut, por që hetimet që ka në dorë SPAK-u mund të kthejnë përmbys të gjithë piramidën.

Pikërisht këta të dy, janë “përplasur” në procedurën e radhës që ka tentuar t’a finalizojë AKSHI, në tenderin e majmë të sistemit të shërbimit konsullor. Procedura është hapur që në kohën e Mirlinda Karçanajt, teksa kompanitë kanë kundërshtuar fillimisht kriteret e vendosura dhe më pas kanë bërë “akuza” ndaj njëra – tjetrës. Karçanaj nxitoi të shpallte fitues një kompani “hije” të Ermal Beqirit, madje nxori edhe njoftimin, por rotacioni i drejtorëve, ku vendin e saj e zuri Igli Tafa, solli anulimin në momentin e fundit.

Hija e Beqirit përballë Meçes - Prapaskenat e anulimit të
Faksimile: Njoftimi i AKSHI-t për anulimin e tenderit për sistemin konsullor, disa javë pasi ishte shpallur fituesi

Vox News ka mësuar se, gjatë javëve të fundit ka pasur shumë ndërhyrje në zyrat e AKSHI-t për të ndryshuar fituesin apo për të anuluar procedurën, duke qenë se bëhej fjalë për një nga tenderët ku biznesmeni Gerond Meçe ishte tërhequr pas presioneve nga grupet rivale, me në krye Beqirin dhe Agasin. Ka dyshime se, këto prapaskena apo edhe ndërhyrjet e tanishme kanë sjellë tërheqjen e Tafës, ndoshta nga frika e një hetimi të mundshëm të SPAK-ut në drejtim të tij.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News procedura ka nisur në muajin maj të vitit 2025 dhe ka një objekt “përmirësim i platformës së shërbimit konsullor online”, me një fondi Limit 205.106.800 lekë. AKSHI shkruan se arsyeja e anulimit të procedurës është për shkak se “në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”.

Hija e Beqirit përballë Meçes - Prapaskenat e anulimit të
Faksimile: Njoftimi i AKSHI-t i disa javëve me parë, për shpalljen fitues të dy kompanive të tenderit për shërbimin konsullor

Ndërkohë, i njëjti institucion, sipas dokumenteve që ka siguruar Vox News, shpalli disa javë më parë fitues të kësaj procedure bashkimin e operatorëve ekonomikë KREATX (në pronësi të Enor Nakuçit dhe Lejdi Koçit) dhe HardTech (në pronësi të Enea Buzës”. Mësohet se këto kompani ofruan 190 milionë lekë, ndërkohë që kishte dyshime se pas kompanisë HardTech fshihej një person i besuar i Ermal Beqirit.

Pronari i kësaj kompanie, Enea Buza ka qenë më herët aksioner dhe i punësuar pranë firmës “HORIZON”, kompani e cila ka lidhje të drejtpërdrejta me Beqirin. Dyshimet janë se, në këtë procedurë, Beqiri futi njerëzit “hije” për të mposhtur kundërshtarin e tij, Gerond Meçe, të cilin sipas SPAK-ut ai e ka marrë peng!

Në të njëjtën procedurë ka marrë pjesë edhe kompania e “pengut”, Advanced Business Solutions-ABS, e cila u fut sëbashki me DATA LOG. Këto kompani ofruan 154 milionë lekë pa TVSH, kundrejt ofertës prej 190 milionë lekësh të Kreatx dhe HardTech. Fillimisht, kompania e “pengut” Meçe u skualifikuar për shkak se s’kishte kapacitete teknike, s’kishte autorizim nga prodhuesi për pajisjet që janë objekt i këtij prokurimi.

Menjëherë pas këtij vendimi, Meçe dhe klanet e tij te AKSHI, të cilat tashmë janë fuqizuar pas goditjes së dyshes Beqiri – Agasi, kanë lobuar fort për të ndryshuar fituesin. I gjendur përballë kësaj situate, drejtori i ri i AKSHI-t, Igli Tafa, më shumë ka preferuar të “luajë” në mbrojtje, duke e anuluar tenderin për t’a rihapur, ndoshta me kritere të reja. Aksioni i SPAK-ut jo vetëm që s’ka frenuar klanet, por tashmë këto grupet vijojnë të përplasen, deri tani me letra.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video