Drejtori i ri i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, po vijon në “gjurmët” e paraardhëses së tij, Mirlinda Karçanajt, teksa në këto javë ka firmosur disa tendera, të cilat për ironi të fatit fitohen nga të njëjta duar. Një nga firmat që ka bërë kërdinë te AKSHI ka qenë ABS e Gerond Meçes, i cili në dosjen e SPAK-ut kundër Ermal Beqirit, Ergys Agasit, etj, del më shumë si “viktimë” dhe jo si një nga personat që diktonte tenderët e mëdhenj në këtë institucion.
Deri më tani, Meçe njëherë konsiderohet nga SPAK-u si “peng” dhe në një dosje tjetër, e cila është deri më tani nën hetim dhe s’ka masa sigurie apo vendime gjykate, ai cilësohet si një nga organizatorët e zhvatjes së pasurisë shtetërore. Dyshimet janë se Meçe ka bashkëpunuar shumë ngushtë me ish-nëndrejtorin e AKSHI-t, Daniel Shimën, teksa të dy kanë ngritur një perandori në biznese familjare, duke rritur kapitale e duke ngritur vila, apartamente apo edhe pallate.
Normalisht, dokumentet e publikuara në vijimësi nga Vox News janë në fakt një dosje e rëndë penale ndaj të dyve, apo bashkëpunëtorëve të tjerë, teksa në këto radhë ne do të ndalemi te një tjetër tender, ku drejtori i ri duket se ka marrë orientime të qartë. Tafa e ka filluar “mbarë”, duke i dhënë Meçes tenderin e radhës. Por, më shumë sesa vlera, vendimi i Tafës duket se është më shumë lobimi i palëve të treta, ata që e vunë Tafën në atë pozicion, apo ata që po e cilësojnë Meçen si viktimë, për t’a rihedhur në treg, megjithëse është nën hetim.


Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, AKSHI ka shpallur ditët e fundit fituesin e një tenderi me objekt “përmirësimi i sistemit të pagesave e-dëmshpërblimeve”. Mësohet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 33 muaj, 9 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje. Fondi limit i tenderi ka qenë 33 milionë lekë, ose rreth 340 mijë euro pa TVSH.
Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomik, DATALOG me pronar Sokol Sinanin dhe ADVANCED BUSINESS SOLUTIONS - ABS, me pronare nënën e moshuar të Gerond Meçes, i cili nga frika e ndonjë hetimi të mundshëm të SPAK-ut ia kaloi fiktivisht aksionet nënës së tij. Këto firma ofruan rreth 300 mijë euro. Në fund të dokumentit është edhe firma e drejtorit të ri të AKSHI-t, i cili duket se s’ka asnjë ide të re në drejtimin e këtij institucioni, pasi po vazhdon “lojërat” e klaneve, ku paraardhësja e tij ka mbajtur disa qendrime.
Ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe ish-zëvendësja e saj Hava Delibashi po hetohen me masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërkohë që masë sigurie ka edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, si dhe biznesmenët Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta. Vox News ka raportuar se emrat e sipër përmendur nuk janë të vetmit që kanë zhvatur paratë publike, pasi edhe dy ‘pengjet’ Shima dhe Meçe, po tentojnë me të gjitha mënyrat për të pastruar paratë që zhvatën nga tenderat. Të dy, bashkë ose veç e veç, kanë krijuar një rrjet kompanish, duke xhiruar sa te njëra e te tjetra dhjetëra miliona euro.

Përfituesi më i madh i këtyre procedurave ka qenë padyshim kompania “Advanced Business Solution”, me pronar Gerond Meçen, teksa Daniel Shima ka qenë nëndrejtor. Sipas të dhënave zyrtare, të hulumtuara nga redaksia jonë, ABS i Meçes ka përfituar vitet e fundit shifrën e frikshme të rreth 40 milionë eurove.
Këto tendera, shumica e të cilave është fituar pa asnjë garë nga ABS, madje duke u skualifikuar edhe ofertat më të ulta, kanë tërhequr vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme. Madje, kanë nisur edhe verifikimet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila ka marrë në “sitë” të gjithë tenderët e AKSHI-t. Por, pikërisht në këtë kohë dhe me SPAK-un nëpër këmbë, Gerond Meçe bën një lëvizje, duke ia kaluar aksionet e kompanisë ABS nënës së tij të moshuar. Kontrata e dhurimit është bërë në muajin maj të vitit 2025, ku Gerondi i kalon Shegushit vetëm pronësinë, teksa administratorët ishin të njëjtët, ndoshta nga “frika” e Prokurorisë së Posaçme.
Aktualisht, aksionet e kësaj firme janë ende në emër të 75-vjeçares Shegush Meçe, e lindur në Elbasan dhe banuese në Tiranë. Nëse do të shohësh tenderat e AKSHI-t, Meçe konkurronte me ABS-në që ia kaloi nënës. Por, paralelisht, ai hapi edhe një tjetër kompani, të quajtur “Artificial Intelligence Business Solutions”, duke kaluar në këtë firmë dhjetëra miliona euro. Të dhënat që ka siguruar Vox News flasin se nga ABS te AIBS, gjatë 5 viteve të fundit, kanë kaluar rreth 15 milionë euro.

Në qershor të muajit 2025, disa javë para se të merrej “peng” nga grupi i Beqirit dhe Agasit, Gerond Meçe do të deklaronte bilancin e kompanisë së dytë, AIBS. Ai shkruan në dokumente se ka dalë me një fitim prej 630 mijë eurosh, ndërkohë që ndau një divident në shumën e 1.7 milionë eurove, nga fitimet e mëparshme.
Të dhënat e tatimeve flasin se ajo kompani, megjithëse nuk fitonte tendera, xhironte dhjetëra miliona euro, me pretekste “punë IT-je”. Kalimet e këtyre pagesave nga njëra dorë në tjetrën, dyshohet se janë bërë për të pastruar paratë e tenderave të AKSHI-t, duke u xhiruar më pas në kompani të afërta me Meçen apo edhe me drejtuesit e AKSHI.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016