Agim Xhindoli i Lushnjes është shndërruar në një nga oligarkët më të rinj të Shqipërisë, teksa jeta e tij ka ndryshuar totalisht pas një podcasti me Edi Ramën, i cili e lavdëroi publikisht se si një biznesmen i djathtë i hapi dyert e biznesit një kryeministri të majtë.
Menjëherë pas asaj interviste, dyert e vetë Xhindolit i janë hapur si me magji, teksa gjatë kësaj kohe ka fituar tendera, ka marrë leje të stërmëdha për parqe fotovoltaike në disa rrethe, si në Lushnje dhe Sarandë. Madje, këto leje i ka marrë me vetë firmën e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, po gjatë kësaj kohe, Xhindoli ka filluar të “kopjojë” idhullin e tij, në veshje të zeza, kapele, atlete të bardha e madje me mjekër të bardhë. Por, “sozia” tashmë ka kaluar ylberin, pasi vijon të fitojë leje me lehtësinë më të madhe.
Më shumë se Xhondoli, duket se edhe kryeministri Edi Rama ka një “dashuri” për punën e biznesmenit të djathtë, pasi vijon t’i firmosë me lehtësinë më të madhe projektet e radhës.


Qeveria ka miratuar dhe zbardhur lejen e radhës për Agim Xhindolin. Bëhet fjalë për lejen për “kompleks bujqësor objekt 1 kat dhe kapanon 1 kat për grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore”, me vendndodhje në Bashkinë e Lushnjës.
“Zona e projektit është e vendosur në jug-perëndim të qytetit të Lushnjës, në një distancë prej rreth 2 km në vijë ajrore nga qendra e qytetit të Lushnjës. Ajo ndodhet në Ultësirën bregdetare ne fushën e Myzeqesë. Prona në të cilën zhvillohet projekti ka një sipërfaqe prej 7541 m²”, thuhet në dokumente.
Sipas saj, prona ndodhet në lagjen “18 tetori”, në një terren fushor, në afërsi të bypass-it të qytetit.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, subjekti zhvillues është “Përpunim Mermer Granit" sh.p.k nëpërmjet projektit të propozuar, kërkon të realizojë një kompleks bujqësor, pjesë e të cilës janë 2 objekte. Firma në fjalë, është në pronësi të familjes Xhindoli, përkatësisht të Agimit, Darienit dhe Tomorrit.
“Godinat e kompleksit janë konceptuar me volumetri të thjeshtë dhe lineare, në përputhje me funksionin bujqësor-prodhues dhe karakterin e territorit përreth. Çatitë janë të projektuara në mënyrë funksionale, duke mundësuar integrimin e paneleve fotovoltaike dhe elementëve teknikë pa ndikim negativ në pamjen arkitektonike”, thuhet në dokument.

Vox News ka publikuar disa muaj më parë shndërrimin e Agim Xhindolit që fitonte tendera dhe parqe fotovoltaikë, pas “bekimit” të kryeministrit Edi Rama. “Nga një biznesmen lokal, i cili jetonte dhe punonte në Lushnje, papritmas Xhindoli filloi të fitojë tendera me shumë zero si dhe të merrte prona të stërmëdha në Sarandë dhe Lushnje për parqe fotovoltaike. Dhe, në dokumentet e lejeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është firma e vetë kryeministrit Rama” shkruante redaksia jonë.
Vox News hulumtoi dokumente, se si Këshilli i Ministrave i miratoi lejen për parkun fotovoltaik të firmës “5GX ENERGY” në pronësi 90 % të Agim Xhindolit. Sipas saj u vendos se kapaciteti i instaluar të jetë 10 MË dhe afati i vënies në punë dhe pajisja me leje ndertimi të jetë brenda 36 muajve. Afati i përdorimit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Formalizmat pas intervistës së Xhindolit pasuan veprimet e një sërë institucionesh. Pas VKM-së, Bashkia e Lushnjes sipas Vox News hapi formalisht një njoftim për “dhënien me qira” të disa pasurive të ndodhura në fshatin Allprenaj, Njësia Administrative Golem, në Lushnje. Në datën 8 qershor u mbajt ankandi dhe në datën 19 qershor u publikua fituesi i ankandit formal të hapur nga Bashkia e Lushnjes. Fitues? Normalisht firma “5GX ENERGY” e Agim Xhindolit, e cila ishte edhe oferta e vetme në këtë ankand.
Ndërkohë, biznesmeni Agim Xhindoli do të ndërtojë edhe një tjetër central të madh diellor, këtë herë në Savër të Lushnjes. Ministria e Infrastrukturës njoftoi disa muaj më parë se kompania e tij 3X Energy ka aplikuar për ndërtimin e parkut fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 70 MW.
Në vitin 2025 Agim Xhindoli së bashku me biznesmenin Paqsor Buzi përfituan 60 hektarë tokë shtetërore nga Bashkia e Sarandës me qira simbolike për të ndërtuar aty një central tjetër të madh diellor. Vendimi shkaktoi kundërshtimin e madh të banorëve të Nivicës, të cilët pretendojnë se prona është e tyre dhe nuk mund të tjetërsohet për sa kohë është në proces gjyqësor.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016