Një projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur që firmosin (Balluku dhe Bektashi) dhe një deputet (Braçe) që i kundërshton!

15 Shkurt 2026, 16:05Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Disa javë më parë, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, do të postonte në rrjetet e tij sociale një denoncim, për betonizimin e kodrave të Liqenit Artificial të Farkës. Sipas tij, një projekt tepër i dyshimtë, do ta shndërronte zonën në një masiv të madh betoni, pa hapësira të përshtatshme, duke sjellë një model tepër të dyshimtë.

Një denoncim kurajoz, sidomos nga një deputet i partisë në pushtet, i cili shkruan ato që ka parë dhe menduar. Normalisht, denoncime të tilla nga ligjvënës duhet të vënë në lëvizje institucionet shtetërore, për të stopuar këto projekte, ose të paktën për t’i ndryshuar. Denoncimi i Braçes ka qenë i shoqëruar me fotografi të projektit, me disa pallate gjarpërushe në atë kodër.

Një projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur që
Denoncimi i Braçes

Por, kush i projektoi apo firmosi? VoxNews ka zbardhur ekskluzivisht lejen e ndërtimit, apo edhe projektin. Pallatet do ndërtohen nga kompania “Kontakt”, e pronar biznesmenin kontrovers Fatmir Bektashi, me dy dosje zyrtare në SPAK, njërën me ish-kryeministrin Sali Berisha, për kompleksin Partizani, dhe tjetrën me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për pagesa të dyshimta.

Një projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur qëNjë projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur që

Një projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur që
Faksimile: Leja e KKTU-së për objektin “Ballada”, me godina 5 katëshe në zonën e Farkës

Ndërkohë, VoxNews ka siguruar dokumentet e lejes së ndërtimit, leje e cila është miratuar në KKTU në muajin shtator të vitit 2025 dhe të zbardhur vetëm javët e fundit. Firmëtar i kësaj leje është as më pak e as më shumë por vetë kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKTU-së. Ndërkohë, në të njëjtën leje, ka firmë edhe Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

VoxNews ka mësuar se, megjithëse leja ishte miratuar në shtator të vitit të kaluar, zbardhja është bërë vetëm ditët e fundit, në kohën që zv.kryeministrja ishte në detyra, para se të pezullohej sërish pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Një veprim i njëjtë me zbardhjen e lejes në Baks-Rrjoll për Bashkim Ulajn.

Një projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur që
Faksimile: Harta e projektit “Ballada” në zonën e Farkës, ku do të ndërtohen disa pallate 5 katëshe në formë gjarpërushe

VoxNews ka mësuar se objekti “Ballada” është një kompleks banimi me objekte 2, 3, 4 dhe 5 kate dhe me 1 kat parkimi nëntokë, i cili pozicionohet në lindje të qytetit të Tiranës, në rrugën e Vrapeve, rreth 300 metra në vijë ajrore nga unaza Lindore e qytetit. “Sheshi aksesohet në mënyrë direkte nga rruga e Vrapeve që ka funksion strategjik në krijimin e një unaze të re lidhëse midis qytetit dhe zonave periferike. Një tjetër vlerë e shtuar e këtij sheshi është afërsia me Liqenin e Farkës, vetë 4 minuta larg. Zona përreth është e gjelbëruar dhe përbëhet përgjithësisht nga ndërtimet e ulëta. Terreni karakterizohet nga pjerrësi mesatare prej 13 %. Sheshi ka një sipërfaqe totale prej 40.680 m2 dhe shtrohet në 6 prona” thuhet në dokumente.

Në dokumente shkruhet se zhvillimi përfshin 9 objekte, prej të cilave 8 objekte janë 4 kate mbitokë dhe 1 objekt me 2 kate mbi tokë, të gjitha me 1 kat parkimi nëntokë. “Për shkak të pjerrësisë së terrenit, më pak se 2 % e projektit interpretohet si një kat shtesë, konkretisht objektet 4-katëshe lexohen si 5–katëshe dhe objekti 2-katësh si 3-katësh”, vijon dokumenti.

Nëse Braçe apo të tjerë lexues të deputetit nuk e dinin se kush ishte biznesmeni apo firmëtarët, më sipër do të gjejnë të gjithë informacionin e kërkuar, se si një zonë e gjelbër, po betonohet.

Duket se, ata më sipër, përveç deputetit Erion Braçe, duhet të mendojnë më së pari që, në komplekset që ka ndërtuar Fatmir Bektashi, Mangalem 21, Kaimi apo Kadiu, të ketë një rrugë. Këta shtetarë duhet të mendojnë më së pari që, taksën e infrastrukturës apo taksat e mijëra banorëve, t’i shndërrojnë në një projekt konkret.

Një projekt betonimi në Farkë, dy të pandehur që
Në foto: Rruga gjithë gropa në hyrje të kompleksit “Mangalem”, “Kadiu” dhe “Kaimi” të ndërtuara nga Fatmir Bektashi

Nëse nuk kanë dijeni për gjendjen, fotot më sipër tregojnë shumëçka. Aktualisht në të tria komplekset janë mbi 50 pallate dhe mijëra banorë që jetojnë në këto pallate kanë si hyrje rrugën më sipër.


Kryeministri, ministria përkatëse, bashkia apo çdo institucion tjetër duhet të mendojë më së pari që këta banorë të ketë infrastrukturë dhe jo të firmosin “symbyllur” projektet e radhës të Bektashit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video