“Hija” e Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan po kthen në tendera kompaninë e përjashtuar MSE?!

7 Shkurt 2026, 22:48Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Klodian Allajbeu

Tenderat e shëndetësisë kanë qenë gjithmonë tepër të dyshimtë, me zyrtarë dhe oligarkë që bashkëpunojnë për të rrjepur arkën e shtetit. Një nga rastet më flagrante ka qenë kompania MSE, e cila për një periudhë të gjatë, kur drejtohej nga Arbër Teqja, ka fituar dhjetëra miliona euro.

Koha kaloi dhe institucionet shtetërore gjetën shkelje në të paktën dy procedura, njëra në QSUT dhe tjetra në Spitain Rajonal të Shkodrës. Kjo firmë u skualifikua nga tenderët për një periudhë të gjatë kohore. Por, ashtu siç ndodh rëndom edhe me dosjet hetimore, një “hije” ka filluar të shfaqet për t’a rehabilituar këtë kompani.

Duke qenë se, pronarët dhe ish-pronarët kanë pasur lidhje të forta me oligarkun Klodjan Allajbeu, pronarin e Spitalit Amerikan, edhe institucionet ligjzbatuese kanë filluar të zbusin “dorën” ndaj MSE-së.

“Hija” e Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan po kthen

“Hija” e Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan po kthen
Faksimile: Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik i muajit shkurt 2026 për t’i hequr një masë përjashtimi kompanisë MSE

Në muajin shkurt 2026, Agjencia e Prokurimit Pubik, ka nxjerrë një njoftim të ri për vendimin e datës 13 shkurt 2025, që vendosi të përjashtojë me 12 muaj kompaninë MSE nga e drejta për të fituar kontrata publike.

“Kundër këtij vendimi, shoqëria ‘MSE’ shpk, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku ndër të tjera ka kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ të 13 shkurtit të APP-së, si dhe dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm. Gjykata në dhjetor 2025 ka vendosur pranimin e kërkesës për sigurimin e padisë, si dhe pezullimin vendimit të APP-së, deri në përfundim të themelit të gjykimit me vendim të formës së prerë”, thuhet në dokument.

Më pas, citohet se APP ka vijuar duke proceduar me heqjen e emrit të këtij operatori ekonomik nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike. Ky vendim qendron në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

“Ndërkohë, llogaria e përdoruesit në sistemin e prokurimit elektronik të operatorit ekonomik ‘MSE’ mbetet e bllokuar, pasi ky operator ekonomik ka një masë tjetër në fuqi të dhënë nga APP me vendimin Nr. 35/2025, e cila përfundon në datë 22.05.2026 (datë e përfshirë në përjashtimin)”, thuhet në dokumente.

Përpos këtij vendimi, ajo që bie në sy është se “hijet” kanë filluar të lëvizin, për t’a kthyer MSE-në sërish në tendera. Ka dyshime se, pas emrave të pronarëve aktualë janë oligarkë të rëndësishëm, të cilët me klanet e tyre në APP apo edhe në gjyqësor, po tentojnë me çdo mënyrë për të kanalizuar paranë publike te këto firme, që vijojnë të mos zënë mend. Por, nëse je përjashtuar dy herë për abuzime, ke procedime disiplinore, apo edhe hetime të mundshme penale, sërish do që të marrësh me këtë logo para publike?

“Hija” e Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan po kthen
Faksimile: Aksionerët e kompanisë MSE kanë zmadhuar kapitalin e firmës në muajin dhjetor 2025

Në fund të vitit 2025, aksionerët e kompanisë MSE kanë rritur kapitalin e shoqërisë. Aksioneri kryesor është shoqëria “Cambridge Pathology” B.V, e cila zotëron 80% të kapitalit të regjistruar të shoqërisë. Më pas, ish-punonjësi i Klodjan Allajbeut, Arbër Liçaj, zotëron 10 %. Pjesën tjetër, por 10 % i ka një shtetas turk, Can Kutay Orten.

Kapitali i shoqërisë u rrit në vlerën e 30 milionë lekëve, nga 6 milionë që ka qenë më parë. Një rritje e konsiderueshme, ndoshta në tentativë për t’a rihedhur në treg dhe në një kohë “sulmi” ndaj kujtdo.

Kjo kompani, sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ka qenë në pronësi të z. Arbër Teqja, i cili është larguar edhe nga biznesi i mbetjeve spitalore, duke ia shitur kompaninë po Klodjan Allajbeut.

Në vendimet e përjashtimit, MSE-ja dyshohej se kishte përdorur të dhëna të rremë dhe ka mashtruar për të fituar një super tender në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ajo ka arritur të marrë plot 230 mijë euro, bëhej fjalë për tenderin me objekt “mirëmbajtja full risk e pajisjeve mjekësore të prodhuesit Philips”.

“Në përfundim të procedimit administrativ të nisur, u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet e keqinformimit dhe dorëzimit të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi” thuhet në vendimin e APP-së.

Ndërkohë, më herët MSE u përjashtua edhe për tenderin e QSUT-së me objekt “mirëmbajtje e pajisjeve të mëdha mjekësore të prodhuesit Philis me fond limit 88.858.534 lekë, të datës 24 tetor 2023”.

“Hija” e Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan po kthen
Faksimile: Përjashtimi i MSE nga tenderët me arsyetimin se ka mashtruar në një tender me vlerë 900 mijë euro nga QSUT

VoxNews ka hulumtuar vitin e kaluar edhe dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se në muajin qershor 2023 firma MSE ka ndryshuar formalisht pronarë. Në këtë datë, janë bërë shënimet në QKB se është depozituar një dokument për transferimin e 80% të kuotave.

“Kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme tek ortakët individ: është larguar ortaku Arbër Teqja". Kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme tek ortaket juridik: është shtuar ortaku ‘Cambridge Pathology B.V’. Numri i aksioneve 80 %, ku kontributi në para është 4.6 milionë lekë”, thuhet në këtë dokument.

Në vitin 2023 janë bërë ndryshimet e pronarëve të firmës MSE. Në atë vit ortaku Teqja ia ka shitur një kompanie, me seli në Holandë. Në QKB shkruhet se Teqja ia shiti “Cambridge Pathology B.V”, ku pas kësaj firme qendrën në pronësi indirekte një shtetase Bullgare, Zoya Georgieva Gyurova.

Në të njëjtin dokument, në pikën b) shkruhet se pronësi indirekte ka edhe z. Nikita Vinogradov, shtetas rus i lindur në vitin 1991. Pas këtyre shtetasve janë hedhur aludime se qëndron si Teqja ashtu edhe oligarkë të tjerë, të cilët për të kamufluar paratë publike deklarojnë pranë institucioneve shtetërore emra personash nga vende të tjera.

(Vijon ...)

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video