Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Tiranë i ka dhënë një tjetër tender të paracaktuar kompanisë Shpresa Al, me pronar Lush Osmanin, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se paratë që akordon kjo drejtori, sidomos për karburantet, shkojnë gjithmonë te të njëjtat duar.
Skandali thellohet më tej për shkak se kjo firmë nuk ka licencë për të tregtuar karburant, por kjo s’e ka penguar që të marrë këto miliona. Gjatë 4 viteve të fundit, Osmani ka marrë çdo qindarkë të akorduar nga Liri Qoshi apo ish-drejtorët e tjerë.
Ka dyshime se Osmani, apo punonjës të tij, kanë lidhje të ngushta me këtë drejtori, duke bërë që tenderat t’i fitojë gjithmonë Shpresa Al. VoxNews ka denoncuar disa javë më parë se këto procedura kanë qenë të paracaktuara, por asnjë institucion as ka marrë mundimin që t’i verifikojë. Nuk është bërë asnjë kontroll apo audit për të parë nëse janë bërë procedurat konform ligjeve apo rregulloreve.

Ashtu siç edhe paralajmëruam, madje edhe me dokumente, në datën 21 janar 2026, Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “blerje karburant dhe vaj”. Kompania Shpresa Al ofroi 185 milionë lekë, pa TVSH. Të njëjtën ofertë kishte edhe një kompani që mori pjesë në tender, ndërkohë firma e tretë u skualifikua nga gara.

VoxNews ka mësuar se, Liri Qoshi ka shpallur në të njëjtën ditë fituesin edhe të lotit numër 2, ku sërish fitues doli kompania Shpresa Al, e Lush Osmanit. Bëhet fjalë për procedurën “blerje benzinë”, ku firma e Osmanit ofroi një normë të fitimit të shprehur në vlerë absolute 24.8 lekë/litër. Të njëjta firma morën pjesë edhe në lotin 2, ku firma e tretë u skualifikua.

VoxNews hulumtoi dokumente të vjetra të kësaj drejtorie, ku rezulton se e njëjta procedurë e zhvilluar në vitin 2023 është fituar nga firma Shpresa AL. Në atë kohë, Pastrim Gjelbërimi finalizoi tenderin “furnizim me lëndë djegëse për automjete diesel” me marrëveshje kuadër me afat 36 muaj.
Fondi limit ishte 172 milionë lekë, ndërkohë që në procedurë mori pjesë vetëm një ofertues dhe “SHPRESA-AL” shpk me nipt K31321021N. Kjo firmë e fitoi këtë tender me të njëjtën vlerë, 172 milionë lekë, duke marrë 100 % të fondit limit.

Jo vetëm tenderin e naftës, por e njëjta firmë fitoi edhe tenderin e benzinës. Kjo procedurë e vitit 2023 u fitua sërish me 100 % të fondit limit nga firma Shpresa Al, me dyshimin se ishte e paracaktuar. Ishte e vetme në garë dhe mori çdo qindarkë të akorduar. Vlera e akorduar nga Pastrim Gjelbërimi ishte 27.900.000 lekë dhe Shpresa Al ofroi po 27.900.000 lekë.

Duket se kompania Shpresa Al ka lidhje të forta në Drejtorinë e Pastrim Gjelbërimit, pasi i ka fituar lehtësisht tenderat. Edhe në vitin 2022 firma Shpresa Al ka marrë tenderin e karburantit në këtë drejtori. Bëhet fjalë për një tender me vlerë rreth 100 mijë euro, ku sërish firma e fitoi me 100 % të vlerës.

Megjithëse xhiron miliona euro nga tenderët, apo ka marrë koncesionin e kalibrimit të pajisjeve të gazit, sërish kompania Shpresa Al nxjerr fitime minimale. E njëjta kompani fiton tendera për ndërtim rrugësh, fiton për karburant procedura apo edhe merr koncesione, ndërkohë që bilanci i vitit 2024, i publikuar disa muaj më parë, e ka nxjerrë këtë firmë me një fitim prej 350 mijë eurosh. Pronari mori 240 mijë euro, ndërkohë 100 mijë euro i la për rezerva.
Ka dyshime se bilancet e kësaj kompanie janë manipuluar, duke i xhiruar paratë e tenderave në kompani të tjera, për mallra apo shërbime. Duket se, lidhjet e Osmanit me godinën e qelqtë në zonën e Astirit, me Tatimet VIP, kanë bërë që ai të mos hetohet për këto abuzime. Prona ku është vendosur kjo drejtori e tatimeve është në emër të Shpresa Al, teksa gjithkush mund të mendojë se qiramarrësit (tatimet) s’mund të hetojnë qiradhënësit (Shpresa al)!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016