Pak ditë më parë, në një program që transmetohet në Youtube “Mirëmbrëma Yje” i Arbana Osmanit, për Natën e Vitit të ri, ishte shtruar një darkë me artistë, këngëtarë, degustatorë verërash si dhe personazhe të showbizzit. Mes tyre ishte dhe një personazh që e thërrisnin Luli (Lulëzim Vulashi), i njohur vitet e fundit për një restorant verërash në Firenze.
Luli është bërë i famshëm nëpërmjet rrjeteve sociale, për shkak të frekuentimit që Osmani i bën restorantit të tij, por në tregun shqiptar ai akuzohet si spekulant verërash, arsyen e së cilës do ta shpjegojmë pak me poshtë.
Gjatë mbrëmjes, Luli tha se kishte biznesmenë shqiptarë të cilët blinin deri në 24 shishe “Romanée Conti”, një verë tepër e veçantë franceze që dikur prodhohej vetëm për Papën Vatikanit, dhe kushton mbi 20 mijë euro.
“Në Shqipëri ka njerëz që blejnë vera 20 mijë euro, kam klientë biznesmenë që blejnë 12 deri në 24 vera të shtrenjta, Romanée Conti” – u shpreh Luli gjatë mbrëmjes së fundvitit.
Kjo verë nga më të shtrenjtat në botë, “Romanée Conti” u bë e njohur për publikun shqiptar, kur në kantinën e një prej biznesmenëve të shpallur në kërkim për vjedhjet e AKSHI, Ergys Agasi, iu gjetën kontrabandë disa shishe të tilla por dhe një verë tjetër tepër të shtrenjtë “Petrus”, që shkon nga 4.000 deri në 5.000 euro për shishe.
Vox News ka arritur të investigojë nëpërmjet 4 importuesve kryesor të verërave në Shqipëri, që “Romanee Conti” por dhe vera të tjera të shtrenjta si “Petrus”, janë të pamundura të sigurohen nga distributorët europian për tregun shqiptarë, për shkak të sasisë tepër të limituar.
Nuk dihet sesi Luli i Firenzes mund të shesë një kuti prej 24 verërash “Romanée Conti” ndaj një biznesmeni të vetëm, duke vënë në pikepyetje jo vetëm origjinalitetin e verës, por dhe mënyrën e futjes në Shqipëri. Burime pranë Vox News, tregojnë se në Doganën Shqiptare nuk ka asnjë shishe “Romanee Conti” të zhdoganuar për vitin 2025.
“Jo vetëm Romanée Conti që nuk është zhdoganuar ndonjëherë por edhe Petrus janë me numra minimal të zhdoganuara, që nuk i kalojnë 70-80 për 1 vit. Problemi është që dhe kur i kapin vera kontrabandë, ato nuk sekuestrohen me procesverbal, por rihidhen në treg.”- u shpreh një burim i besueshëm i doganës shqiptare.
Sasi e limituar e verërave premium
Vreshti "Romanée-Conti" është shumë i vogël, rreth 1.8 hektarë. Prodhimi mesatar i këtij vreshti për verë është rreth 4 500 – 6 000 shishe standarde (75 cl) në vit. Ndërkohë vera tjetër “Petrus” githashtu ka sasi pak më të lartë, por sërisht e limituar. Gjithësej për të gjithë botën prodhohen 35 000 shishe në vit dhe vreshti i tyre është diku tek 11 hektarë.
Mjaftojnë vetëm këto dy statistika për të kuptuar, sesa të limituara janë këto vera të kuqe për tregun botërorë, e jo të mendosh tregun shqiptar. Por, vijojmë!
Vox News ka vijuar investigimin, duke siguruar një email porosie me një nga distributorët më të mëdhenjë francez Barriere Freres, një Société De Négoce (Negociant - term i përdorur për distributorët e verërave), e themeluar në vitin 1932 në Médoc, Bordeaux, Francë.

Distributori shqiptar kërkon një sasi të madhe Petrus nga Negocianti “Barriere Freres”, por ky i fundit i shkruan se vetëm 6 shishe të vitit 2014 kam në dispozicion për Shqipërinë. Pra, por flasim për verën “Petrus” që prodhon 35 000 shishe në vit. Tani paramendoni që në Shqipëri mund të blesh kuti me 24 shishe “Romanée Conti” që prodhohen derine 6 000 shishe në vit.
Por kjo sasi e limituar nuk është vetëm për këto dy verërat e nga më të shtrenjta. E njëjta situatë paraqitet edhe për verat “Masseto”, “Ornellaia” dhe “Sassicaia”, ku distributorët ndërkombëtar sjellin me sasi me pikatore për tregun shqiptarë, pasi kanë prioritet tregun francez, gjerman, Italian, anglez e amerikan etj.
Në këtë porosi të kryer sërish nga një prej distributorëve më të mëdhenj shqiptar, shihet se numri i limituar i porosisë.

Kjo të rikthen dhe njëherë në krye të këtij shkrimi, ku Luli i Firenzes pretendon se shet në Shqipëri me dhjetra apo qindra verëra “Romanée Conti”, por ngrihet një pikëpyetjem, a futen ligjërisht apo kontrabandë?
“Petrus” i falsifikuar shitet në dyqane rrobash
Investigimi i Vox News është fokusuar edhe tek falsifikimi i verërave “Romanée Conti”, “Petrus”, “Masseto” dhe shumë brandeve të njohura botërore. Numërohen me gishtat e dorës ata që njohin verat në Shqipëri, shumica e konsumatorëve janë të prirur kryesisht të konsumojnë verërat që kanë një emër të njohur në Europë. Për shkak të sasisë së limituar siç dokumentuam më sipër nga njëra anë dhe rritjes së kërkesës nga ana tjetër, në tregun shqiptar.
Redaksia jonë ka komunikuar me një dyqan rrobash të quajtur “Irena’s Wardrobe”, ku përveç veshjeve tregonte dhe verën prestigjoze “Petrus”, “Masseto” dhe “Ornellaia”. Gazetari ynë i kërkon sasi “Petrus” dhe dyqani i rrobave tregon disponibilitet për sasinë duke i thënë se kushton 4 400 euro shishja.


Ndërkohë në një komunikim të dytë, dyqani i rrobave “Irena’s Wardrobe” tregon sesa ka sasi të ndryshme verërash prestigjoze si “Masseto” apo “Ornellaia” duke i treguar edhe çmimin përkatës.

Në fakt siç treguam më sipër, të sigurosh këto vera në sasi, është e pamundur, por burime për Vox News bëjnë me dije se prej disa kohësh në Shqipëri po falsifikohen masivisht etiketat e verërave prestigjoze.
“Gjejnë formë shishe shumë të ngjashme me Petrus, Masseto apo Ornellaia dhe i falsfikojnë etiketat. Më pas i shesin në treg të zi.” – tregoi për Vox News një nga distributorët më të mëdhenj të pijeve alkoolike në Shqipëri.
“E njejta gjë po ndodh dhe me Shampanjat, të cilat janë dhe ato lehtësisht të falsifikueshme, pasi është e pamundur ti sigurosh në tregun formal, nga distributorët e huaj. Mendoj që më shumë janë të falsifikuara sesa kontrabandë, sepse po i shesin nën çmimin që po na i japin distributorët e huaj”- shtoi më tej distributori shqiptar.
Në fund i mbetet doganave shqiptare që të verifikojnë duke nisur nga dyqanet e rrobave, e deri tek restorantet që ofrojnë verërat prestigjoze franceze.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.