Në vijimësi kemi denoncuar tendera të paracaktuar dhe tepër formal që iu jepen firmave të caktuara. Kemi denoncuar sesi këto firma kanë bërë një “lojë” me institucionet shtetërore, ku një procedurë e fiton X firmë dhe tjetrën Y kompani.
Nëpërmjet dokumenteve kemi faktuar, madje kemi parashikuar sesi tenderi i majmë do të fitohej nga filan shoqëri, në marrëveshje tepër të dyshimtë me operatorin tjetër apo edhe me institucionin që vetëm sa ia përshtat letrat.
Disa javë më parë, VoxNews denoncoi se Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Arlinda Pogaj, po u jep me rotacion GTS-së dhe MESSER-it tenderat e oksigjenit spitalor.
Një biznes me “ajrin”, i cili ka qenë tepër fitimprurës gjatë dhe pas pandemisë COVID 19, ku vetë ministria e Shëndetësisë apo Spitalet Universitarë, Rajonalë apo Lokalë, tenderuan dhjetëra miliona euro.
Fillimisht redaksia jonë parashikoi se këto tendera ishin të destinuara të shkonin te këto dy firma.
Më pas, sërish nëpërmjet dokumenteve të reja dhe të vjetra, VoxNews denoncoi se pikërisht tenderat e oksigjenit spitalor shkuan sërish për GTS-së dhe MESSER.
Madje, këto firma arritën të realizonin një skemë të përpiktë, ku në të gjitha procedurat, futeshin të dyja në “garë”, por në një spital e fitonte njëra dhe në tjetrin, tjetra.

Pas këtij denoncimi, reagoi për të disatën herë drejtoresha Arlinda Pogaj, e cila shkruan se nuk ka asnjë pushtet të ndryshojë çmimin e barnave, të kontrollojë tregje ndërkombëtare apo të krijojë monopole.
Ajo shkruan se oksigjeni është BAR dhe ka një çmim CIF dhe OBP nuk vendon çmim, nuk negocion dhe nuk rrit asnjë gjë.
Por çfarë bën ky Operator?!
Pogaj shkruan se nuk ka shkop magjik dhe nuk licencojnë operatorë dhe nuk kontrollojnë tregun. Ajo shkruan se tenderin e hapën edhe ndërkombëtarisht, por sërish vetëm 2 firma u futën në “garë”.
Pogaj shkruan se nuk ka detyrë ligjore që të verifikojë bombulat në spitale, nuk kontrollin depo, nuk bën inspektime teknike apo nuk zëvendëson organet përkatëse të kontrollit.
Por nëse zonja Pogaj apo edhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka indicie për paracaktim, për kritere të vendosura që iu përshtaten dy firmave, për këtë “marrëveshje” mes këtyre 2 firmave, a nuk e denoncon?
A përgatit një raport, një verififikim apo kallëzim për këtë aferë?
Apo vetëm sa “noterizon” një procedurë që në hapje ishte e destinuar të shkonte te njëra apo tjetra firmë?!
Nëse bën ato që thotë vetë Pogaj dhe nëse nuk bën këto që pyet VoxNews, a nuk është veçse një notere?!
Të mbyllësh sytë, të mos veprosh apo të mos reagosh pas gjithë këtyre parregullsive, në ç’vend po jetojmë?
Nëse Operatori apo Pogaj di diçka, vihet në dijeni të një marrëveshje, e di fituesin e një tenderi, a kanë konsumuar të paktën veprën penale të mos kallëzimit?
Çdokush, jo domosdoshmërisht institucioni, që ka dijeni për një vepër penale, la detyrimin ligjor që t’a denoncojë në organet ligjzbatuese.
Krahas VKM-ve të kota për krijimin dhe funksionimin e OPB-së, drejtuesit duhet të zbatojnë ligjet e Prokurimit Publik, që parashkojnë edhe kallëzime e gjithçka tjetër, në mënyrë që një procedurë të bëhet konform ligjit.

Në përmbledhje më sipër, redaksia e VoxNews po i bën një sfidë të vogël Operatorit të Blerjeve të Përqendruara apo edhe vetë drejtoreshës Arlinda Pogaj.
Ky operator ka shpallur ditët e fundit tenderin “blerje oksigjen mjekësor” i ndarë në 2, ku ne do të ndalemi te loti 1, “blerje oksigjen për Qendrën Spitalore Rajonale Fier”, me afat 12 mujor. Fondi limit i akorduar për këtë lot është 14,618,880 lekë, ose rreth 151 mijë euro.

Ky tender, sipas fakteve, dokumenteve dhe fotove që redaksia jonë ka mbledhur, është i destinuar të shkojë për kompaninë GTS. VoxNews ka bërë një vëzhgim në Spitalin Rajonal të Fierit, ku rezulton se në hyrje të godinës është i vendosur një tanker i madh i kompanisë GTS.
Normalisht, sipas analizës që kemi bërë me tenderat e tjerë, shuma prej 151 mijë eurosh është e destinuar të shkojë te kjo kompani, e njëjta që ka fituar tenderët e viteve të kaluara.
Pas këtyre radhëve mund të kemi edhe surpriza, pasi vetëm 2 kompani marrin pjesë në tendera, ku krahas GTS-së është edhe MESSER-i.

Në çdo reagim, Pogaj bën të paditurën duke u justifikuar se “s’kam qenë në këtë detyrë” apo “OPB është krijuar vitet e fundit” dhe s’ka se si t’a dijë se kush e fitoi procedurën e mëparshme.
Po i kujtojmë se tenderat e oksigjenit në Spitalin Rajonal të Fierit janë fituar gjithmonë nga GTS, ku këto procedura janë kryer në disa raste nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas nga Drejtoria e Spitalit të Fierit. Nëse nuk e di, faktet janë më sipër.
Pyetja që mund të lindë pas këtyre fakteve është nëse Operatori, apo edhe vetë Arlinda Pogaj, duke ditur gjithë këto fakte, a do t’ia “noterizojë” tenderin GTS-së? Apo do të dalë nga “radha” dhe do t’a denoncojë në organet ligjzbatuese?!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.