Pjerin Ndreu në “linjën” e partisë, tender 410 mijë euro mikut izraelit të kryeministrit Edi Rama!

12 Dhjetor 2025, 18:19Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pjerin Ndreu në “linjën” e partisë, tender 410 mijë euro mikut izraelit të kryeministrit Edi Rama!

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, është në të njëjtën linjë me partinë që e kandidoi, duke u dhënë paratë firmave apo personave të njohur të qeverisë qendrore. Pavarësisht se pushtetit duhet të ishin të ndara, Ndreu duket se zbaton me përpikmëri çdo direktive, që paratë t’i marrin ata që njihen si miqtë e kryeministrit Edi Rama.

Normalisht, që nderi i kthehet, pasi në disa takime me krerët e bahskive Ndreu është përgëzuar nga kryeministri Edi Rama për pastrimin e territorit. Pavarësisht se bregdeti i Lezhës po zaptohet dita-ditës, madje edhe zonat e mbrojtura, sërish Pjerini ka luajtur bukur, duke bërë vetëm “punët ditore”, teksa për projektet madhore ia “hedh fajin qeverisë”.

Zaptimi i Ranës së Hedhur, Shëngjinit apo Kune Vainit as e kanë shqetësuar, teksa ai ka dërguar letrat me shpejtësi për disa projekte në zonë. As ka kundërshtuar e as ka miratuar, teksa ka qëndruar neutral. Ky qëndrim duket se i ka pëlqyer edhe krerëve të shtetit, pasi shohin te Ndreu një njeri të përkushtuar.

Tashmë, ish-oficeri i Policisë së Shtetit vijon të zbatojë “urdhrat”, pasi tenderin për blerjen e makinave teknologjike të pastrimit e ka fituar një emër i njohur i qeverisë, një izraelit Ron Yeffet, i cili është futur ortak në firmën shqiptare TIMAK. 

Pjerin Ndreu në “linjën” e partisë, tender 410
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për blerje të mjeteve teknologjike

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, Bashkia e Lezhës ka finalizuar disa ditë më parë tenderin me objekt “blerje mjete teknologjike”, me një kohëzgjatje të kontratë sprej 90 ditësh. Ka pasur 3 kompani në garë, dy prej të cilave kanë dhënë ofertë të ngjashme dhe e treta s’ka dhënë ofertë.

Madje, njëra nga dy kompanitë që dha ofertë, firma “ALBANIA MOTOR COMPANY” është skualifikuar, duke ngritur dyshime të mëdha se e gjithë procedura ka qenë tepër fiktive.

Mësohet se operatori “TIMAK” ka dhënë një ofertë prej 40.934.980 lekë, ose pak më shumë se 410 mijë euro. Ashtu si në procedurat e paracaktuara, edhe në këtë dokument vartësit e Pjerinit janë munduar të shpjegojnë arsyet e skualifikimit. Më shumë justifikime!

Pjerin Ndreu në “linjën” e partisë, tender 410
Faksimile: Kompania TIMAK ka si aksioner znj. Arjeta Puva me 51 % dhe Ron Yeffet me 49 % të aksioneve

Firma “TIMAK” është themeluar disa vite më parë, teksa ka pasur një pompozitet në prodhimin e automjeteve apo makinerive “Made in Albania”. Duket se pompozitetit i doli “boja” në momentin që kompania “TIMAK” u fut aksionere me shtetin në biznesin e prodhimit të armëve apo makinerive ushtarake.

Pak para se qeveria të bënte marrëveshjes mes firmës shtetërore KAYO dhe TIMAK, kompania shtoi një aksioner. Çuditërisht aksioner u bë një shtetas izraelit, i cilësuar si “miku i kryeministrit Edi Rama”. Ai është Ron Yeffet, me disa biznese në botë dhe kohët e fundit i ka kthyer sytë nga Shqipëria. Ai mori 49 % të aksioneve dhe Puca mbajti 51 %.

Tashmë, krahas biznesit me makinat ushtarake, firma “TIMAK” po fiton lehtësisht edhe tendera nga institucionet shtetërore. Duket se “mallkimi” ka marrë fund, që nga koha që aksioner u bë izraeliti.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video