Një oligark me lidhje tepër të fuqishme në kupolën qeverisëse ka filluar “punën” për zaptimin dhe vjedhjen e një sipërfaqeje të stërmadhe prone në fshatin Vrinë, në skajin më jugor të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe në kufi me Greqinë. Projekti tepër i dyshimtë i Korporatës së Investimeve Shqiptare ka për synim grabitjen e plot 849 hektarëve buzë detit, një sipërfaqe tepër e madhe.
Padyshim që kjo do të jetë një nga vjedhjet më spektakolare, ku “dorë” të rëndë ka edhe vetë shteti, i cili lejon që prona publike të tjetërsohet dhe në të të ndërtohen resorte apo gjithçka tjetër.
Në redaksinë e VoxNews kanë mbërritur informacione se një biznesmen tepër i fuqishëm, me lidhje tepër të forta politike, ka filluar të marrë kontakte me banorë të zonës, disa prej të cilëve kanë edhe certifikata pronësie në zonë. Prej shumë muajsh, biznesmeni në fjalë ka “urdhëruar” Kadastrën e Vlorës që të mos lëshojë asnjë certifikatë pronësie apo të mos kryejë asnjë transaksion shitje, duke qenë se ka lidhur tentakulat e tij në Korporatën e Investimeve Shqiptarë, për t’a marrë të gjithën!

Harta dhe të dhënat më sipër janë publikuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila prej shumë kohësh po tenton që prona shtetërore që vlejnë dhjetëra miliona euro t’i kalojnë privatit. Madje, edhe ndërtesa ikonike, pallate sporti, stadiume apo edhe vetë Shtëpia e Fëmijës në Tiranë. Gjithashtu, edhe Pallati i Kongreseve do të ketë të njëjtin fat, teksa tashmë radha i ka ardhur edhe zonave të lakmuara bregdetare.
Ndër këto zona është padyshim bregdeti shqiptar, ku pasi zonat nga Vlora, Himara dhe Saranda u uzurpuan nga Investitorët Strategjikë, të cilët morën prona falas në bregdet, apo iu falën taksat për 10 vite, radhën e ka Korporata, e cila ka të njëjtën qasje; grabitjen e pronave shtetërore!
Vetë Korporata shkruan se në fshatin Vrinë do të bëhet një mega projekt, i cili do të shtrihet në plot 849 hektarë. Është në skajin më jugor të Shqipërisë, në kufi me zonën arkeologjike të Butrintit në veri dhe territorin grek në jug. E gjithë zona e stërmadhe është shtetërore, e pa ndarë me ligjin 7501 dhe është djerrë. Pra, është e gatshme që t’u falet privatit.

Por, si mund të tjetërsosh një pronë të stërmadhe shtetërore pa një konsultim publik? Pa një dëgjesë publike, qoftë me banorët e zonës, me grupet e interesit apo edhe me historianët apo arkeologët?
Burime nga Kadastra e Sarandës i thanë redaksisë së VoxNews se prej disa kohësh kanë filluar verifikimet e statusit të pronës në atë zonë, për t’i hapur më pas rrugën ndërtimeve. Ose më saktë, prona private dhe ajo shtetërore, do t’i jepet firmave private ku shteti do të marrë një përqindje ndërtimi. Duket një skemë e mirëfilltë zhvatje, ku qeveria do t’i marrë pronën banorëve të zonës, më pas do të hartojë ndërtimet dhe do t’a shpallë në ankand.

VoxNews shfletoi njoftime të shpallura nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila thotë se ka nisur një verifikim të pronave në fshatin Vrinë, Konispol. Korporata shfajësohet se po bën këto verifikime në bazë të një VKM-je, të datës 20 nëntor 2024. Objekti i Vendimi është “për autorizimin e korporatës së investimeve shqiptare, për koordinimin e procesit të identifikimit të pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në fshatin Vrinë, Bashkia Konispol”.
“Korporata Shqiptare e Investimeve është ngarkuar me identifikimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore me potencial investimi në zonën e fshatit Vrinë, Bashkia Konispol. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe njësitë e qeverisjes vendore, Korporata Shqiptare e Investimeve do të koordinojë verifikimin e të drejtave të pronësisë, përcaktimin e saktë të kufijve të pronave dhe përfundimin me përparësi të regjistrimit të tyre në regjistrat zyrtarë”, është një nga detyrat.
Një tjetër është negociatat me subjektet private. “Korporata do të zhvillojë negociata me palët private që kanë lidhje juridike me pronat në fjalë, me qëllim qartësimin e statusit ligjor dhe definimin e qartë të pjesës shtetërore” shkruhet në njoftim.

Detyra e tretë, pasi të kenë mbaruar dy të parat, është hartimi i masterplanit. “Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), KSI do të hartojë një masterplan zhvillimi për të gjithë zonën, duke siguruar një qasje të integruar dhe të qëndrueshme urbanistike. Shpenzimet për këtë proces do të mbulohen nga buxheti i KSI-së” thuhet në njoftim.
Më pas, do të përgatitet një projekt zhvillimi konkret për pronën shtetërore. Duket se, katër detyrat kanë një emërues të përbashkët; tjetërsimin e pronës shtetërore, për t’ia dhënë më pas firmave dhe oligarkëve privatë.
Prona është një fushë e stërmadhe, ngjitur me Parkun e Butrintit dhe ngjitur me Kalanë e Ali Pashës. Nëse fushat e stërmëdha duhet të jenë ndarë me ligjin 7501, synimi i privatëve do të jetë zona bregdetare, në kufi me Greqinë. Janë disa gadishuj të vegjël, disa plazhe dhe ishulli fundor i Shqipërisë, Tongo.
E gjithë zona është përballë ishullit të Korfuzit, madje edhe qytetit me të njëjtin emër në Greqi. A mos ndoshta kjo zonë do të shndërrohet me resorte?!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.