Dosja AKSHI - Tre “musketierët” (Agasi, Beqiri, Meçe) dhe Dartanjani (Daniel Shima) përdorën Mirlindën për t’u dhënë qindra milionë euro!

7 Shkurt 2026, 16:23Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tre “musketierët” (Agasi, Beqiri, Meçe) dhe Dartanjani (Daniel Shima)

Tre “musketierët”, Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe Gerond Meçe, kanë zhvatur për vite me radhë Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke marrë tendera në vlera prej qindra milionë eurosh. Dyshimet janë se, këta biznesmenë i kanë marrë të paracaktuar, me kritere të vendosura në favor të tyre. Të tre, deri pak muaj më parë, kanë qenë në të njëjtën anë, teksa kanë “luftuar” me zyrtarët shtetërore, duke i “detyruar” që t’u firmosnin tenderat e majmë.

Rrugës ka tentuar që t’u bashkohet edhe Daniel Shima, që në këtë rast është “Dartanjani”, i cili ka lënë postin e nëndrejtorit të AKSHI-t për t’u bërë një super biznesmen, me dhjetëra kompani, disa në emrin e tij, të tjera në emrin e nënës kushëririt apo edhe të së dashurës. Një skemë e mirëfilltë për të pastruar para’.

Duket se, romani i Aleksandër Dumas, “Tre Musketierët”, i shkruar 182 vite më parë, ka gjetur zbatim në Shqipëri, ku disa individë kanë tentuar me çdo mënyrë për të “luftuar” jo vetëm shtetin, por edhe me njëri tjetrin, për të marrë copat më të mëdha të tortës. Pak muaj më parë, SPAK kërkoi masa sigurie për disa persona, madje edhe ndaj drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Ka dyshime se, që nga sulmet kibernetike, qeveria ka hapur “thesin”, duke dyfishuar vlerat e tenderave.

Dosja AKSHI - Tre “musketierët” (Agasi, Beqiri, Meçe)

Dosja AKSHI - Tre “musketierët” (Agasi, Beqiri, Meçe)
Faksimile: Dosja e SPAK-ut për abuzimet me tenderat e AKSHI-t, nën akuzë janë disa biznesmenë dhe zyrtarë shtetërorë

Në datën 16 dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut ka vendosur masa sigurie ndaj Karçanajt, zëvendëses së saj Hava Delibashi, zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili dhe biznesmenëve Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta. Ndaj Agasit dhe Beqirit u caktuan masat e arrestit me burg në mungesë, ndërsa për dy drejtueset e AKSHIT “arrest shtëpie”. Ndaj biznesmenëve të tjerë u caktua masa e ndalimit për daljen jashtë vendit.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erjon Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha, si dhe persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe implementuar një skemë për paracaktimin e fituesve në procedurat e prokurimit të kryera në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rrjedhin nga pagesat lidhur me kontratat publike të prokuruara”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Sipas saj, këta persona vendosnin kritere në tendera që mund t’i paracaktonin fitues. Madje, në dosjen e SPAK-ut ka edhe biseda të përgjuara, apo edhe filmime, ku këta individë shkruajnë se “projekti bën 2 milionë, ne do t’a bëjmë 4”. Në raste të tjera shkruajnë se “nuk futet as në eksperiencë”.

Në dosje përmendet edhe në shumë raste biznesmeni Gerond Meçe, madje që ka fituar edhe tendera të majmë, por më së shumti në këtë masë sigurie ai del si “viktimë”. Ai rezulton se është mbajtur peng nga njerëzit e Ermal Beqirit në verën e vitit të kaluar, por fakti që ai s’e ka denoncuar, madje ka mledhur vetë prova si pamjet filmike, e bën akoma më të dyshimtë këtë lëvizje. Për çfarë i donte filmimet? Kujt do t’i bënte presion? Sa para’ ka marrë të paracaktuara nga AKSHI dhe nga vetë Mirlinda Karçanaj?

VoxNews ka mësuar se, shumë tendera të fituara gjatë 5 viteve të fundit nga “Advanced Business Solution”, e Gerond Meçes, janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Në ato vite, me lidhjet e forta që kishte krijuar, Meçe arrite të përlante çdo qindarkë të akorduar nga AKSHI. Ka dyshime se ai ka pasur “sekser” të tjerë tepër të fuqishim për t’i dhënë të paracaktuara dhjetëra miliona euro. Në momentin që “shokët” e tij filluan të ngrenë krye, Agasi dhe Beqiri, ai filloi lëvizjet dhe dëshmoi për disa procedura.

Duket se, aq shumë para’ ka pasur AKSHI sa këta individë dhe këto kompani s’kanë ditur si t’i pastrojnë. Kompania e Beqirit dhe Agasit kanë plotësuar fatura blerjeje me vlerë plot 10 milionë euro për blerje çokollatash.

Kush firmosi për t’u dhënë qindra miliona euro tendera 3 musketierëve?!

Tre janë zyrtarët që kanë vendosur firmë. E para, drejtoresha Mirlinda Karçanaj. E dyta, zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi dhe i treti, “viktima” Daniel Shima. Nëse dy të parat, deri më tani s’u kanë dalë ndonjë pasuri të fshehur, krejt e kundërta ka ndodhur me “Dartanjanin” e AKSHI-t, i cili pas “zhdukjes” dhe pas largimit nga AKSHI, ka hapur një rrjet të gjerë firmash.

VoxNews ka raportuar në vijimësi se ky individ, ka krijuar disa kompani me dyshimin e madh se po pastron paratë e tenderave të AKSHI-t. Ai bëri nënën rrobaqepëse në një biznesmenë që zotëron prona miliona euro. Bëri kushëririn lavazhier në një person që zotëron biznes të madh, apo të dashurën juriste të hapë një kompani konsulence IT.

Duket se, krahas grupit që tashmë është “goditur”, Prokuroria e Posaçme duhet të verifikojë rolin e gjithsecilit në këto para’. Aq shumë ka pasur sa janë përlyer të gjithë, ata me masë sigurie e ata që kanë drejtuar dhe kanë krijuar skema të pastrimit të parave.

Në çdo aksion të SPAK-ut kërkesa e opinionit publik nuk është izolimi apo shpallja në kërkim e atyre që kanë abuzuar, por sekuestrimi i parave, ato të dyshuara si të vjedhura. BKH-ja duhet të veprojë me shpejtësi ndaj çdo individi, privat apo edhe me poste shtetërore, që po tenton t’i pastrojë në prona, apartamente, lokale, restorante, vila apo edhe leje ndërtimi. Gjurmët janë evidente, teksa hetimet e mëvonshme mund të zbardhin të gjitha këto transaksione, bankare apo hipotekore.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video