A do e fitojë tenderin 2.3 milionë euro të pajisjeve mjekësore firma e përjashtuar MSE?! (Lobimi i OLIGARKËVE)

13 Shkurt 2026, 22:19Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Një firmë dy herë e përjashtuar për abuzime të rënda me tenderat po kthehet fuqishëm në “lojë”, në tentativa për të fituar sërish procedura të majme. Lobimet e oligarkëve të shëndetësisë ka sjellë që drejtësia t’i heqë një nga dy masat ndëshkuese kompanisë MSE, e kapur “gafil” duke mashtruar me dokumentet në të paktën dy procedura, një në Tiranë dhe një në Shkodër.

Pak ditë më parë, Vox News publikoi dokumente se kjo kompani, dikur në pronësi me letra e Arbër Teqjas, ka hequr një nga dy pezullimet, me një vendim tepër të dyshimtë të Gjykatës Administrative. Një mesazh i qartë se shumë shpejt për çdokënd, teksa me këto vendime po vihen në “lojë” jo vetëm institucionet që bëjnë tendera, por edhe ato ligjzbatuese.

Nëse ke mashtruar me dokumente, a nuk ka vepër penale? Përse nuk hetohen këto shkelje, por vetëm futen në kalvarin e procesit administrativ, me vendime dhe kundërvendime? Një skenar i qartë se pas kësaj kompanie ka njerëz tepër të fuqishëm, me lidhje deri në kupolën qeverisëse. Duket se pikërisht këto lobime po fusin sërish në “treg” një kompani që ka mashtruar dhe duhet të hetohej nga këto organe.

A do e fitojë tenderin 2.3 milionë euro të pajisjeve
Faksimile: Tenderi me vlerë 2.3 milionë euro i hapur nga QSUT për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore

Vox News ka raportuar edhe më herët se kompania në fjalë, që ka kaluar në disa duar dhe emra, prestanome të oligarkëve të rëndësishëm, është përjashtuar pikërisht për mashtrimet në tenderat e mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore. Normalisht, mashtrimi krahas dëmit ekonomik ka shkaktuar edhe një dëm të pazëvendësueshëm në mirëmbajtje, ndoshta edhe me kosto ndaj pacientëve. Por, askush nuk i verifikon mjaftueshëm këto probleme, duke e agravuar situatën.

Ndërkohë që koha ecën, e njëjta firmë mashtruese, MSE-ja po synon sërish një tender të majmë në të njëjtën fushë. Ditët e fundit, Vox News ka mësuar se Qendra Spitalore Universitare do të hapë tenderin e mirëmbajtjeve të pajisjeve mjekësore, me një vlerë tepër të lartë. Në regjistrin e parashikimeve është publikuar procedura e prokurimit “shërbim mirëmbajtje të pajisjeve të rënda mjekësore prodhues Philips \ Siemens ose ekuivalent”. Fondi limit është 230 milionë lekë, ose mbi 2,3 milionë euro, teksa bëhet fjalë për pajisje mjekësore.

Më shumë sesa, procedura e hapur e pritshme, ajo që vjen “erë” në këtë tender është se dyshohet se do të shkojë në favor të kompanisë MSE. Redaksia jonë ka mësuar se, pikërisht lobimet apo tentativat për t’i hequr dy pezullimet, po bëhen pikërisht që firma të fitojë këtë tender të majmë.

A do e fitojë tenderin 2.3 milionë euro të pajisjeve

A do e fitojë tenderin 2.3 milionë euro të pajisjeve
Faksimile: Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik i muajit shkurt 2026 për t’i hequr një masë përjashtimi kompanisë MSE

Në muajin shkurt 2026, Agjencia e Prokurimit Pubik, ka nxjerrë një njoftim të ri për vendimin e datës 13 shkurt 2025, që vendosi të përjashtojë me 12 muaj kompaninë MSE nga e drejta për të fituar kontrata publike.

“Kundër këtij vendimi, shoqëria ‘MSE’ shpk, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku ndër të tjera ka kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ të 13 shkurtit të APP-së, si dhe dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm. Gjykata në dhjetor 2025 ka vendosur pranimin e kërkesës për sigurimin e padisë, si dhe pezullimin vendimit të APP-së, deri në përfundim të themelit të gjykimit me vendim të formës së prerë”, thuhet në dokument.

Më pas, citohet se APP ka vijuar duke proceduar me heqjen e emrit të këtij operatori ekonomik nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike. Ky vendim qëndron në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

“Ndërkohë, llogaria e përdoruesit në sistemin e prokurimit elektronik të operatorit ekonomik ‘MSE’ mbetet e bllokuar, pasi ky operator ekonomik ka një masë tjetër në fuqi të dhënë nga APP me vendimin Nr. 35/2025, e cila përfundon në datë 22.05.2026 (datë e përfshirë në përjashtimin)”, thuhet në dokumente.

Në fund të vitit 2025, aksionerët e kompanisë MSE kanë rritur kapitalin e shoqërisë. Aksioneri kryesor është shoqëria “Cambridge Pathology” B.V, e cila zotëron 80% të kapitalit të regjistruar të shoqërisë. Më pas, ish-punonjësi i Klodjan Allajbeut, Arbër Liçaj, zotëron 10 %. Pjesën tjetër, por 10 % i ka një shtetas turk, Can Kutay Orten. Kapitali i shoqërisë u rrit në vlerën e 30 milionë lekëve, nga 6 milionë që ka qenë më parë. Një rritje e konsiderueshme, ndoshta në tentativë për t’a rihedhur në treg dhe në një kohë “sulmi” ndaj kujtdo.

Kjo kompani, sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ka qenë në pronësi të z. Arbër Teqja, i cili është larguar edhe nga biznesi i mbetjeve spitalore, duke ia shitur kompaninë po Klodjan Allajbeut. Në vendimet e përjashtimit, MSE-ja dyshohej se kishte përdorur të dhëna të rremë dhe ka mashtruar për të fituar një super tender në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ajo ka arritur të marrë plot 230 mijë euro, bëhej fjalë për tenderin me objekt “mirëmbajtja full risk e pajisjeve mjekësore të prodhuesit Philips”.

Ndërkohë, më herët MSE u përjashtua edhe për tenderin e QSUT-së me objekt “mirëmbajtje e pajisjeve të mëdha mjekësore të prodhuesit Philips me fond limit 88.858.534 lekë, të datës 24 tetor 2023”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video