Kushtoi 450 mln euro, por sërish Unaza e Madhe “ha” 623 mijë të tjera për sinjalistikë!

21 Shkurt 2026, 20:41Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Projekti dhe ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës është një dosje në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, ku të akuzuar për favorizim në tendera është ministrja e pezulluar e Infrastrukturës, 2 ish-drejtorë të ARRSH-së, Gjyli dhe Berberi, si dhe punonjës të tjerë. Me veprime dhe mosveprime këta persona favorizuan dukshëm kompani private, duke i dhënë tenderin në “tavolinë”.

Sipas hulumtimeve të Vox News, ndërtimi i një segmenti prej vetëm 27 kilometrash ka kushtuar plot 450 milionë euro, teksa kostoja fillestare llogaritej në vetëm 290 milionë euro. Pra, plot 160 milionë më shumë, aq sa dukshëm duket fryrja e kostove dhe interesave të errëta që qëndrojnë më pas.

Megjithëse segmenti është hapur për qarkullim vetëm vitin e fundit, sërish rruga po vijon të “hajë” para. Fillimisht ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar që “shpërbleu” firmat fituese të tenderit, duke i dhënë shtesa kontrata, për punë që duhet t’i kishin bërë në projektin fillestar.

Janë hedhur miliona e miliona euro për disa punë “të vogla”, ndërkohë që nëse do të shohim objektet e kontratave atëherë duket qartë se është hedhur para për projektimin, ndërtimin, sinjalistikën, rrethimin, e gjithçka tjetër. Pra, një projekt që duhet të ishte “me çelësa në dorë”.

Kushtoi 450 mln euro, por sërish Unaza e Madhe “ha” 623
Faksimile: Tenderi i hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik

Megjithëse projekti është ndërtuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, institucionet e tjera po vijojnë të mbushin “gropat” e lëna pas nga firmat ndërtuese, apo edhe nga keqmenaxhimi i firmave që duhet t’i kontrollonin, apo edhe nga zyrtarët e ARRSH-së që mbyllën sytë.

Vox News ka siguruar disa dokumente, të një tenderi që ka hapur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit në Bashkinë e Tiranës për Unazën e Madhe. Kjo drejtori e pushtetit lokal ka hapur procedurën “materiale për mirëmbajtjen e sinjalistikës Unaza e Madhe”.

Fondi limit i procedurës është 60.088.333 lekë pa TVSH, ndërkohë që nëse do e konvertojmë në euro, shuma shkon në plot 623 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme, duke qenë se Unaza e Madhe duhet të ishte mirëmbajtur nga vetë ARRSH-ja, nga firmat që e ndërtuan apo nga gjithçka tjetër.

Si në shumë projekte në mbarë Shqipërinë, edhe Unaza e Madhe, e cila aktualisht e ka një dosje të hapur në SPAK, po vijon të “hajë” para’.

Kushtoi 450 mln euro, por sërish Unaza e Madhe “ha” 623

Kushtoi 450 mln euro, por sërish Unaza e Madhe “ha” 623
Faksimile: Materialet që kërkon Drejtoria e Rrugëve në Bashkinë e Tiranës për Unazën e Madhe të kryeqytetit

Në dokumente shkruhet se kjo drejtori kërkon një mjet sinjalizimi që përdoret posaçërisht për të treguar kryqëzimet e autostradave dhe rrugëve. Përdoret gjithashtu gjerësisht në situata të veçanta rreziku, për të paralajmëruar pengesat e ardhshme, ndarjen e korsive etj.

Gjithashtu kërkon edhe struktura antizhurma prej çikllasi, të cilat në disa vende janë vendosur nga firmat që e ndërtuan dhe në disa të tjera nuk i vendosën. Kërkohen tabela informative me bazament, apo në mur.

Kërkohen reflektorë asfalti, pllakë fosforeshente apo edhe mbrojtës metalik të rrugës. Në dokumente specifikohet se kërkohen edhe panele për mbrojtje kundra zhurmës, barrierë me tuba apo edhe ishuj trafiku si amortizatorë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video