Nga kredia me 3 %, te “dhurata” e xhaxhait e deri te apartamenti 200 mijë euro: Ku i bëri lekët Eldi Hoxha?!

12 Mars 2026, 23:23Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Eldi Hoxha

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Eldi Hoxha, një person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, ka qenë i pastrehë në vitin 2011, aq sa shteti i ka dhënë familjes së tij një kredi me interes të ulët, prej 3 %. Më pas, me manovra tepër të guximshme dhe me lidhje të forta në politikë apo edhe në gjyqësor, Eldi ka “ngritur” kokë, fillimisht pas një “dhurate” të majme nga xhaxhai i tij.

Dokumentet që ka hulumtuar Vox News tregojnë se Eldi ka marrë një shpërblim prej 43 mijë eurosh nga xhaxhai, një transaksion tepër i dyshimtë, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se mund të kemi një pastrim të mundshëm të parave. Më pas, i hetuari nga SPAK për kontrabandën e cigareve, ka blerë një apartament në Tiranë, ka lidhur dhe zgjidhur kontrata, teksa nga këto manovra ka arritur sërish në shifra të majmë.

Pasuria e tij dhe e familjes është vënë nën kontroll nga Prokuroria e Posaçme, pasi kemi të bëjmë me disa manovra tepër të dyshimta, të denja për individë që merren me aktivitete të paligjshme. Duke mbajtur disa detyra të rëndësishme në Bashkinë e Vlorë, Drejtorinë e Doganave, KQZ-në e së fundmi në Bashkinë e Tiranës, ai ka xhiruar dhjetëra miliona lekë, ndërkohë që në emrin e tij ka qenë edhe një numër nipti, si konsulent dhe këshillues ligjorë.

Nga kredia me 3 %, te “dhurata” e xhaxhait e deri te apartamenti 200
Faksimile: Familja e Eldi Hoxhës ka në pronësi një apartament me vlerë 200 mijë euro

Vox News ka vijuar të hulumtojë dhjetëra dokumente, pasi duke qenë i lidhur me një subjekt të deklarimit të pasurisë, Eldi Hoxha ka dhënë deklarata tepër të dyshimta. Madje, nëse do të bëjmë një kryqëzim informacionesh, nga disa institucione shtetërore, rezulton se familja e tij një herë e deklaron një pasuri të majme, apartament me vlerë 200 mijë euro, ndërkohë që gjatë vendimit për pastërtinë e figurës, ky apartament nuk figuron të jetë kontrolluar.

Fshehje me dashje apo tentativë për t’i hedhur hi syve institucioneve të reja të drejtësisë? Për kronikë, vendimi i institucioneve shtetërore që kontrollojnë njerëzit e drejtësisë (pjesëtaren e familjes së Eldi Hoxhës) është në fund të vitit 2023, ndërkohë që apartamenti i blerë nga familja është në muajin qershor të vitit 2022.

Në asnjë rresht, në vendimin e KPK-së nuk janë dhënë detaje për këtë pronë, ndërkohë që në një dokument janë dhënë deklarime se aseti i poseduar ka një sipërfaqe prej 167.33 m2, ku Eldi dhe bashkëshortja e tij kanë 50 % pjesë takuese.

Dokumentet e hulumtuara nga Vox News flasin se bëhet fjalë për një kontratë sipërmarrje, të datës 17 qershor 2022, ndërkohë që vlera e të gjithë këtij aseti është plot 200 mijë euro. Duke qenë se Eldi Hoxha po hetohet për disa vepra penale si pjesëmarrje dhe krijim të organizatës kriminale, SPAK-u duhet t’a hetë verifikuar ligjshmërinë e kësaj prone.

Nga kredia me 3 %, te “dhurata” e xhaxhait e deri te apartamenti 200
Faksimile: Në vitin 2022, Eldi Hoxha ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave

Në atë kohë, sipas dokumenteve të tjera, Eldi Hoxha ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ku në vitin 2022 ka deklaruar 150 mijë lekë dieta dhe 75 mijë lekë shpërblime. Ai ka deklaruar 1.2 milionë lekë paga, ndërkohë që dyshimet janë mbi afera të tjera në atë institucion, shpeshherë i atakuar dhe i hetuar nga institucione të tjera.

Nga kredia me 3 %, te “dhurata” e xhaxhait e deri te apartamenti 200
Faksimile: “Dhurata” 43 mijë eurosh e xhaxhait ndaj Eldi Hoxhës dhe kredia me 3 %

Nëse do të bëjmë një verifikim të së kaluarës ekonomike të Eldi Hoxhës, do të shikojmë se para se të merrte poste të rëndësishme në Tiranë, si në Dogana apo në Bashkinë e Tiranës, do të shohim se ai ka qenë një i pastrehë. Fillimisht ai ka marrë një kredi të butë, me 3 %, më pas e ka ndihmuar me një “dhuratë” tepër të majme xhaxhai, që i ka falur plot 43 mijë euro. Kaq xhaxha të mirë të ketë pasur?!

Ngritja ekonomike e tij ka ardhur gjatë kohës që Eldi ka qenë me poste drejtuese në Drejtorinë e Doganave, ku Vox News ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Posaçme, por pavarësisht kësaj, ai vijon i qetë detyrën, si sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës. Dosja e SPAK-ut është pikërisht për veprimet e Eldi Hoxhës te Doganat, duke lejuar kontrabandë.

Nga kredia me 3 %, te “dhurata” e xhaxhait e deri te apartamenti 200

Nga kredia me 3 %, te “dhurata” e xhaxhait e deri te apartamenti 200
Faksimile: Dosja e Prokurorisë së Posaçme për Eldi Hoxhën, i cili po hetohet me masën e sigurisë ndalim i daljes nga Shqipëria

Vox News ka hulumtuar dosjen e Prokurorisë së Posaçme për Eldi Hoxhën, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë ndalim i largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Posaçme ka zbatuar masën e sigurisë më 28 maj 2025, ditën kur ai është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës. Para muajit maj 2025, Hoxha ka qenë në postin e Drejtorit të Departamentit Operativ-Hetimor prej muajit nëntor 2020. Pikërisht gjatë kësaj detyre, ka lejuar në masë kontrabandën e cigareve, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën e 53 milionë eurove.

Ai është denoncuar disa herë për shkelje të rënda, duke favorizuar biznese të ndryshme. Ndaj tij janë zbatuar dy masa sigurie “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Hoxha është pjesë e një grupi kriminal që lejuan kontrabandën e një sasie të madhe cigaresh. Skema ishte e tillë që cigaret transportoheshin nga Shqipëria drejt vendeve të BE, pa paguar më parë doganën.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme detajohet se 36 personat, ku bën pjesë edhe Eldi Hoxha, akuzohen për veprat penale të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe grupi i strukturuar kriminal. Gjithashtu, grupi akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal si dhe kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. Hoxha akuzohet edhe për shpërdorim detyre!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video