Hapet tenderi 1.4 milionë euro, a është paracaktuar fituesi (firma ‘Fusha’) që do mirëmbajë sheshin “Skëndërbej”?!

21 Mars 2026, 14:57Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kompania “Fusha”, një kompani e cila fitoi të gjitha tenderët e ndërtimit, kostoja e së cilëve kapi shifrën e 17 milionë eurove

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, në varësi direkte të Bashkisë së Tiranës, ka hapur tenderin e radhës për mirëmbajtjen e sheshit kryesor të kryeqytetit, një arterie e cila ka një kosto të stërmadhe, të cilat rëndojnë në xhepin e taksapaguesve.

Deri më tani nuk është publikuar asnjë preventiv për të ardhurat nga ky shesh, për qiratë e aktiviteteve dhe për gjithçka tjetër, ndërkohë që procedura e mirëmbajtjes gjithmonë ka qenë e dyshimtë, duke qenë se paratë shkojnë te të njëjtët persona.

Dokumentet që ka hulumtuar redaksia e VOX News, të vitit 2026 apo të viteve më parë, tregojnë se gjithmonë këto para’ janë të destinuara të shkojnë te kompania “Fusha”, një kompani e cila fitoi të gjitha tenderët e ndërtimit, kostoja e së cilëve kapi shifrën e 17 milionë eurove.

Ndërkohë, pas ndërtimit, Bashkia e Tiranës ka hapur disa tendera që lidhen me këtë shesh, ku për ironi të fatit, procedurat janë fituar po nga kompania “Fusha”.

Ndërkohë, tenderi i 2026-ës është i hapur dhe kompanitë fituese kanë disa javë kohë për të plotësuar dokumentet.

Nisur edhe nga fituesi i kaluar, ai që e ndërtoi dhe po e mirëmban këtë shesh, a mos vallë tenderi është i parcaktuar po për firmën “Fusha”?!

Duket se drejtuesit e vjetër dhe të rinj të drejtorive në varësi të Bashkisë së Tiranës i kanë marrë direktivat për të bërë tenderin e radhës, teksa efekti surprizë i fituesit është shumë i vogël, për të mos thënë i papërfillshëm.

Hapet tenderi 1.4 milionë euro, a është paracaktuar fituesi
Faksimile: Njoftimi i tenderit të shpallur nga Drejtoria e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik për mirëmbajtjen e sheshit “Skëndërbej”

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Drejtoria e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, e drejtuar nga Piro Sinjari, ka hapur një tender me një afat prej 32 muajsh për “mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sheshit ‘Skënderbej’”. Fondi limit i procedurës është 132 milionë lekë, teksa shuma duke e onvertuar në euro shkon në rreth 1.4 milionë euro.

Në dokumente përcaktohet se ofertat e këtij tenderi do të hapen në datën 20 prill 2026, ndërkohë që janë dhënë edhe informacione se çfarë kërkon kjo drejtori, apo se çfarë punësh duhet të kryejë firma private për t’a mirëmbajtur. Në fakt, Bashkia e Tiranës apo edhe institucionet në varësi të saj, shpenzojnë disa herë për pastrimin e qytetit, bëjnë tendera pastrimi, kanë hapur kompaninë Eco Tirana dhe tani bëjnë edhe procedura për vende të caktuara.

Hapet tenderi 1.4 milionë euro, a është paracaktuar fituesi
Në foto: Harta e sheshit “Skëndërbej” dhe vendet që do të pastrohen dhe menxhohen

Vox News hulumtoi dokumente të tjera, shoqëruese të tenderit, të cilat përcaktojnë edhe vendet që do të pastrohen dhe menaxhohen. Janë bërë studime, ku kërkohet pastrimi i sipërfaqeve me pllakë, me beton të laëe dhe të rrashinuar, kërkohet pastrimi i sipërfaqeve me granil apo atyre me asfalt.

Gjithashtu kërkohet shkarkimi i koshave të plehrave, kërkohet mirëmbajtje e veçantë apo disa riparime në raste dëmtimesh. Dokumenti vijon se kërkohet sistemimi i kanalizimeve, i kanalit francez apo pastrimi i zgarave të shiut. Drejtoria kërkon edhe mirëmbajtjen e ndriçimit apo edhe hapësirat e gjelbra, siç është rasti i pastrimit të barërave të këqija dhe mbushje me ashkla pishe.

Në dokumente është përcaktur se firma duhet të mirëmbajë edhe shatërvanet, ata me presion apo me rrjedhje. Gjithashtu duhet të kijdesen për çezmat publike. Një zë mirëmbajtje ëshë edhe për stolat e betonit, vendet e biçikletave, kangjellave apo edhe lyerje e bllokuesve të trafikut. Drejtoria kërkon edhe pastrimin në raste eventesh publuke apo private apo të përcaktojnë automjetet dhe mjetet që lejohen në ambientet e sheshit.

Hapet tenderi 1.4 milionë euro, a është paracaktuar fituesi
Faksimile: Tenderi i vitit 2023 për mirëmbajtjen e sheshit “Skëndërbej” u fitua nga kompania “Fusha”

Vox News hulumtoi edhe dokumente të viteve të kaluara, për të njëjtën procedurë, ku rezulton se kompania që e ndërtoi, “Fusha”, ka fituar edhe tenderin e mirëmbajtjes në vitin 2023.

Në qershor të atij viti, Bashkia e Tiranës hpalli fituesin, ku kompania Fusha ofroi 106 milionë lekë, ndërkohë që në atë kohë pati edhe oferta edhe me 200 mijë euro më pak, por që u skualifikuan.

Duket se kriteret e punëve të ngjashme janë vënë posaçërisht për kompaninë “Fusha”, e cila duke qenë se ka fituar pothuajse të gjitha tenderët e mirëmbajtjes të kësaj vepre, pasi në Shqipëri s’ka asnjë shesh që të mirëmbahet, e bëjnë këtë firmë fituese edhe të vitit 2026.

Mësohet se kriteri që skualifikon firmat e tjera është që duhet të kenë 40 % të vlerës si punë të ngjashme.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video