Grup dhe organizatë kriminale - Prokurori Bledar Maksuti merr nën hetim Daniel Shimën pas denoncimeve të Vox News!

24 Prill 2026, 17:39Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Daniel Shima

Në fillim të muajit shkurt 2026, redaksia e Vox News denoncoi në vijimësi Daniel Shimën, ish-nëndrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, i cili deri në atë kohë nuk ishte pjesë e grupit kriminal, ku SPAK-u preu disa fletë – arresti, me në krye drejtoreshën Mirlinda Karçanaj. Dy muaj e gjysmë më pas, prokurori Bledar Maksuti e ka futur Daniel Shimën në të njëjtin “thes” me zyrtarët dhe biznesmenët, të cilët akuzohen se kanë zhvatur arkat e shtetit në mënyrë kriminale.

Aktualisht, sipas dokumenteve që disponon redaksia jonë, Shima është marrë zyrtarisht nën hetim në muajin shkurt të këtij viti, për një mori shkeljesh dhe përfitimesh gjatë kohës që ka qenë në kupolën e AKSHI-t. 35-vjeçari, thotë prokuroria, është i dyshuar për kryerjen e veprave penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Këto veprime ai i ka bërë në formën e bashkëpunimit me grupin e strukturuar kriminal.

Grup dhe organizatë kriminale - Prokurori Bledar Maksuti merr nën
Faksimile: Akt-akuza e Prokurorisë së Posaçme ndaj Daniel Shimës, duke e akuzuar për grup kriminal

Ndërkohë, në të njëjtat dokumente, detajohet se prokurori Maksuti i ka ngritur Daniel Shimës edhe akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”. Gjithashtu e akuzon edhe për kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Atij i është shtuar edhe vepra penale e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Një mori akuzash të ngritura ndaj një ish-funksionari shteti, i cili deri dje shihej si një “viktimë”, por që tashmë duket se ai jo vetëm që s’ka qenë viktimë, por ka qenë mjaft aktiv dhe një nga personat më me influencë në krye të AKSHI-t. Prokuroria shkruan në akt-akuzë se Shima dhe vetë Karçanaj kanë bashkëpunuar, madje edhe duke tentuar të pastrojnë paratë e dyshuara nga korrupsioni në drejtimin e Agjencisë.

“Lidhur me të ardhurat e paligjshme të përfituara në formë korruptive nga e hetuara Mirlinda Karçanaj, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, të cilat të analizuara në harmoni me njëra tjetrën, bëjnë të besohet fakti se ajo ka përfituar nga shtetasi Daniel Shima, vlerën prej 200.000 (dyqind mijë) euro”, shkruan SPAK-u.

Më tej vijon se në mënyrë indirekte, shtetësja Arjola Koromani, nëpërmjet shtetasit Daniel Shima, i ka marrë disa kuti vere të mbushura me kartëmonedha të prerjeve 100, 200 dhe 500 euro shtetases Mirlinda Karçanaj.

Pra, veprime konkrete nga ana e Danielit, i cili ka veprime edhe në blerjen e një pasurie nga Karçanaj në zonën e Qerretit, në Kavajë.

“Nga pyetja e shtetasit Rafael Bistri, lidhur me rrethanat e blerjes së një pasurie të paluajtshme dhe shitjen e saj tek motra e shtetasit Daniel Shima (shtetases Enxhi Shima), ai deklaron në mënyrë të përmbledhur se nuk ishte fare në dijeni dhe nuk mbante mend asnjë rrethanë. Emri i tij lidhet me marrjen e një shumë prej 80 mijë eurosh hua dhe më pas bëri deklaratën noteriale”, shkruan SPAK-u.

Akuza ka faktuar se “vlera reale e transaksionit të kryer për blerjen e këtij apartamenti është 160 mijë euro dhe jo sa është deklaruar në akte noteriale, ku blera prej 80 mijë eurosh është paguar cash nga e hetuara Mirlinda Karçanaj me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal”.

Grup dhe organizatë kriminale - Prokurori Bledar Maksuti merr nën
Faksimile: Akt-akuza e SPAK-ut për grupin e AKSHI-t, ku Daniel Shima është marrë i pandehur për disa vepra penale

Në të njëjtën dosje detajohet edhe dëshmia e shtetases Migena Schroeder, pronare e firmës “AESS”, e cila ka deklaruar se në vitin 2022, është kontaktuar nga ish-nëndrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, për ta takuar. Ai i ka kërkuar Migenës që të bëhej pjesë e një projekti, të quajtur “Smart lab”, që do të instalohej në shkolla.

Para se të bëhej tenderi, pa u hapur zarfet e gjithçka tjetër, Danieli i ka thënë se projekti do të realizohej nga shoqëria “Albascan” dhe se Migena duhet të takonte me përfaqësuesin e firmës, Elison Jorgji. Arsyeja ishte se kjo kompani kishte ekskluzivitetin e disa pajisjeve, teksa Danieli donte që AKSHI të krijonte një imazh të mirë, duke përdorur kompani amerikane.

Prokuroria shkruan në dosje se, ekzistojnë dyshime se Karçanaj ka përfituar nga Daniel Shima shumën prej 200 mijë eurosh.

Grup dhe organizatë kriminale - Prokurori Bledar Maksuti merr nën
Në foto: Investigimet e Vox News për Daniel Shimën, që shërbyen si indicie për SPAK-un

“Ndërtim, marketing dhe lavazh”, ky ishte rrjeti i kompanive të Daniel Shimës pasi la AKSHI-n. Vox News publikoi në fillim të muajit shkurt 2026, një seri investigimesh për veprimet dhe tentativat e pastrimit të parave nga Daniel Shima. 

“Tre vitet e fundit kanë qenë tepër të vrullshme për Daniel Shimën, ish-nëndrejtor i AKSHI-t, duke filluar nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, dyshimet për favorizim të një firme në tendera, largimi nga detyra, ‘zhdukja’ dhe në fund një rrjet kompanish që ‘mbinë nga hiçi’. VoxNews faktoi me dokumente dhe burime nga disa institucione sesi Danieli e bëri nënën e tij rrobaqepëse një biznesmene, duke xhiruar miliona euro, blerë troje, apartamente, e marrë leje ndërtimi në disa qytete”, shkruante redaksia jonë.

Nëpërmjet dokumenteve, Vox News faktoi se shokët e Danielit, Sokol Përllaku dhe Redvin Marku, arritën të krijonin dhe administronin disa kompani, sërish me xhiro dhe prona në vlerën e dhjetëra miliona eurove. Sokoli pas bashkëpunimit dhe transaksioneve me Merita Shimën hapi disa kompani të tjera, në fushën e ndërtimit, teksa mori si administrator Redvin Markun. Emri i këtij të fundit është “lidhja” mes Përllakut dhe vetë Danielit, pasi në momentin që Danieli u largua nga AKSHI, hapi një kompani në emrin e tij dhe mori si administrator pikërisht Redvinin!

Grup dhe organizatë kriminale - Prokurori Bledar Maksuti merr nën
Në foto: Investigimet e Vox News për Daniel Shimën, që shërbyen si indicie për SPAK-un

“Pas largimit nga posti i nëndrejtorit të AKSHI-t, Danieli vendosi që të dalë hapur, duke themeluar kompaninë ‘Digital Euphoria’, një kompani që merrej me konsulencë dhe marketing. Në vitin 2023, në kulmin e karrierës së Daniel Shimës, kushëriri i tij i parë, Marin Shpata, hapi kompaninë ‘E-Lava’, e cila kishte disa pika lavazhesh, një biznes që i kalonte shifrën e 500 mijë eurosh”, shkruante redaksia jonë.

Vox News ka mësuar se, në biznes është futur motra dhe e dashura e Danielit, duke hapur të dyja kompani, të cilat i kamuflonin si “ndërkombëtare”. Ka shkuar buja e Danielit te shtetet e tjera?! Kaq para’ të ketë kursyer nga paga si nëndrejtor i AKSHI-t?! Apo janë paratë që ai menaxhoi gjatë asaj detyre, duke favorizuar një klan?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video