Abuzime edhe me të sëmurët mendorë, si u shtuan kostot e ndërtimit të Spitalit Psikiatrik të Vlorës!

5 Dhjetor 2024, 22:19Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Spitali Psikiatrik i Vlorës

Abuzimet e pushtetit nuk kursejnë as të sëmurët mendorë, ku ndërtimi i Spitalit Psikiatrik të Vlorës ka kaluar në një kalvar të gjatë letrash, të cilat i kanë shtuar kostot në maksimum. Në vitin2023, qeveria akordoi 1.5 milionë euro për rikonstruksionin e ambienteve. Nga 9 firma në garë, drejtuesit e Spitalit Psikiatrik shkuan te oferta e 7-të më e lartë, duke skualifikuar 6 firma që ofruan më pak, me diferenca deri në 500 mijë euro me fituesin.

Por, këta drejtues nuk u ndalën vetëm me tenderin e madh. Megjithëse i dhanë fituesit maksimumin e vlerës, ata kanë firmosur edhe modifikimin e kontratës, duke i dhënë firmës fituese edhe rreth 300 mijë euro të tjera. Një abuzim i pastër, i cili nuk kursen as strehat për njerëzit në nevojë, ku marrja e shërbimit në kohë mund të parandalojë edhe ngjarje të rënda kriminale.

Spitali Psikiatrik i Vlorës është përfshirë dhjetëra herë në skandale abuzimi, nga keqtrajtimi i pacientëve, kushtet mizerabël, kequshqyerja apo edhe shërbimet e lavanderisë. Duket se drejtuesit e këtij spitali kanë “imunitet” nga abuzimet, teksa i shtojnë dita-ditës, edhe në kurriz të të sëmurëve mendorë.

Abuzime edhe me të sëmurët mendorë, si u shtuan kostot e
Faksimile: Njoftimi modifikimit të kontratës së rikonstruksionit të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali”

Njoftimi i mësipërm është publikuar disa ditë më parë në Agjencinë e Prokurimit Publik nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë. Sipas dokumenteve që disponon VoxNeës, drejtuesit e këtij institucioni kanë publikuar objektin e procedurës së prokurimit “Modifikim kontrate ‘rikonstruksioni i shtëpive të mbështetura”. Fondi i akorduar është 28.859.862 lekë, ose rreth 300 mijë euro. Bëhet fjalë për “punime ndërtimi për ndërtesa të lidhura me shëndetin dhe shërbimet sociale, krematoriumet dhe banjot publike”.

Çfarë është modifikimi i kontratës?!

Aktualisht, institucionet kanë ndryshuar emërtimet e shtesave të kontratës, ku nga shtesë tani e bëjnë modifikim. Në fakt është e njëjta gjë, ku firma fituese e tenderit të madh merr edhe 20 % të fondit me vetëm një firmë. Këtu hyjnë në lojë drejtuesit dhe mbikëqyrësit e punimeve.

Por, a nuk mori të gjithë fondin limit firma fituese?!

Abuzime edhe me të sëmurët mendorë, si u shtuan kostot e

Abuzime edhe me të sëmurët mendorë, si u shtuan kostot e
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për rikonstruksionin e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë, të shpallur në vitin 2023

VoxNews shfletoi dokumentet e tenderit të madh të vitit 2023. Në atë kohë, u skualifikuan të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit. Madje, firmat e skualifikuara kishin ofruar më pak!

Në datën 11 prill 2023, Spitali Psikiatrik shpalli fitues firmën “NDREGJONI” të tenderit me objekt “rikonstruksion i shtëpizave të mbështetura”, me një kohëzgjatje 10 muaj. Pra, punimet duhet të kishin përfunduar në muajin shkurt 2024. Por, jemi në fund të 2024-ës dhe sërish s’kanë përfunduar, por jepen edhe para të tjera për t’i përfunduar.

Tenderi i madh kishte një vlerë 149 milionë lekë të rinj, teksa firma fituese “NDREGJONI” ofroi 146 milionë. Një firmë ofroi edhe 99 milionë për t’a ndërtuar, por u skualifikua. Ashtu si edhe disa firma të tjera që ofruan më pak. Pra, megjithëse fituesi mori 500 mijë euro më shumë sesa oferta më e ulët, sërish s’i përfundoi punimet, teksa këta drejtues e kanë “shpërblyer” edhe me 300 mijë euro të tjera!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video