Pas sulmit të mbrëmjes së kaluar në Kanalin Ibër-Lepenc, “Dita” ka kontaktuar ingj. Erion Perikun për një këndvështrim ndryshe të një vepre që furnizon me “jetë” Kosovën.
Periku, i cili në vitet 2020-21 ka mbajtur rolin e Drejtorit të Projektit “Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit, Punimet Rehabilituese për Kanalin Ibër-Lepence” të financuar nga Banka Botërore, që në fillim të bisedës vëren se për Kosovën, Liqeni i Ujmanit është më i rëndësishëm se Trepcja.
E quan “jetë”, pasi përmes këtij kanali furnizohen me ujë një pjesë e Mitrovicës, mbarë Vushtrria, ndoshta më shumë se gjysma e Prishtinës dhe dy centralet termoelektrike Kosova A dhe Kosova B.
Kanali 45 km i gjatë është ndërtuar nga ish-Jugosllavia. Mirëmbajtjes dhe modernizimit të tij, ndër vite, i është kushtuar vëmendje e veçantë, si nga autoritet e Republikës së Kosovës ashtu edhe nga partnerët strategjikë të vendit që i kanë ofruar fonde dhe grante të konsiderueshme projekteve me këto synime.
Periku zbulon se varësia e zonës me potencialin më të lartë zhvillimor nga Ibër- Lepenc ka qenë një çështje që ka shqetësuar edhe më parë autoritetet në Kosovë dhe partnerët. Sipas tij, në vitin 2021, ndërmarrja Ibër-Lepence tenderoi ndërtimin e një dige në fshatin Mihajliq (Diga e Mihajliqit). Kjo digë do të sherbente pikerisht si “back up” nëse kanali do të haste ndonjë difekt teknik apo do të ishte subjekt sabotazhi apo sulmi, si në këtë rast.
Ndonëse tenderi u zhvillua dhe fituesi u shpall, punimet nuk filluan. Periku nuk e di se çfarë apo kush i pengoi.
Kjo është evidente edhe kur pyetet nëse sulmi i shëmtuar në Kanalin e Ibër-Lepenc mund të kishte qenë i një tjetër natyre. Periku nuk e përjashton se do kishte qenë e mundur.
Në fund të fundit, thuajse 20 nga 45 kilometra të Kanalit janë të hapura, pa asnjë lloj mbrojtje apo barriere. Si Lana e Tiranës. Pra, sulmi mund të ishte ndërmarrë tjetërsoj, por Periku nuk do që të arrihet në konkluzione të nxituara apo të bëhen spekulime.
Masat e ndërmarra menjëherë pas shpërthimit të rreth 15 kg lëndë shpërthyese – sipas ministrit Sveçla – me monitorimin e Kanalit nga forca sigurie dhe me ndërhyrjet që, padyshim, do të implementohen, pas mbledhjes së Këshillit të i Sigurisë, patjetër që nuk lënë vend për panik në mesin e qytetarëve.
Gjithsesi, ai shprehet se sulmi i mbrëmshëm mund të shihet si një sinjal a pikënisje për ndërmarrjen e hapave që do të parandalonin sulme edhe më përfshirëse dhe më të rrezikshme, ku thekson nevojën e projekteve për të mbrojtur si duhet ujin.