Biznesmeni italian, Francesco Becchetti ka nisur një tjetër betejë ligjore ndaj Shqipërisë. Këtë herë, vendi ynë është paditur për refuzimin për të paguar 110 milionë eurot e gjobës së vendosur nga gjykata e Arbitrazhit e Uashingtonit në vitin 2021.
Sipas ‘Globar Arbitration Review’, Becchetti dhe bashkëpunëtorët e tij që investuan në Shqipëri pretendojnë dëmshpërblim për refuzimin e Shqipërisë për të paguar gjobën e majme të vendosur nga arbitrazhi i Bankës Botërore, por edhe me pretendimet e fushatës së vazhdueshme të persekutimit’, sipas tyre nga Shqipëria.
Në dosjen e kallëzimit përfshihen deklaratat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë shqiptare, përfshirë këtu edhe të Kryeministrit Edi Rama, që ka deklaruar se Francesco Becchetti nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë qindarkë nga Shqipëria.
Ndërkohë, pretendimet për persektutim të vazhdueshëm janë ngritur me dosjen e drejtësisë shqiptare, që ka dënuar Becchettin me 17 vite burg për skemë mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar, evazion fiskal dhe fshehje pasurie.
Është e paqartë se në cilën gjykatë janë ngritur pretendimet e reja të Francesco Becchetti-t, por konventa e ICSID, gjykatës së arbitrazhit që gjobiti Shqipërinë parashikon në nenin 54 të saj se çdo pretendim për refuzim të zbatimit të vendimeve të kësaj gjykate mund të ankimohen në gjykatat e vendeve anëtare të kësaj konvente, që janë 163 shtete dhe entitete.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.