Agimi i Metës pas 24 korrikut, hollivudian apo si i fashistëve grekë?

14 July 2022, 22:52Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agimi i Metës pas 24 korrikut, hollivudian apo si i fashistëve
Foto e publikuar nga Ilir Meta me shënimin "Drejt një Agimi të ri"

Që Ilir Meta do të rikthehet në politikën aktive pas 24 korrikut, kjo nuk ka asnjë dyshim. Mëdyshja është nëse Presidenti do të rikthehet si kryetar i LSI-së, apo do të themelojë një parti e lëvizje me një emër të ri për të mbuluar mëkatet e LSI-së.

Cilado qoftë rruga që do të zgjedhë Meta, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë pak do të ndryshojnë...të paktën sipas asaj që sinjalizon vetë Presidenti.

Meta ka publikuar në rrjetet sociale një foto me zëdhënësin e tij ‘besnik’, Tedi Blushi dhe këshilltarin Edmond Panariti. I pari nuk është provuar si pjesë e LSI-së, por është provuar si njeri besnik i Metës në Presidencë. I dyti është provuar si i tillë në LSI, Qeveri dhe tani edhe në Presidencë.

“Drejt një Agimi të ri”, shkruan Presidenti Meta në foton e publikuar. Fjala “Agim” ka frymëzuar mjaft skenaristë e regjisorë në Hollivud, por edhe politikanë madje edhe në Greqinë fqinje që ngritën fashistët e “Agimit të Artë”.

Është e paqartë nëse Agimi i Metës do të jetë i llojit fantastiko-shkencor hollivudian, apo i artë si në Greqi. Por, e sigurtë është që Presidenti që ka edhe ca ditë në detyrë po përgatitet për një agim të ri dhe po zgjedh bashkëpunëtorët e këtij agimi.

Nëse “agimi” i Metës do të jetë hollivudian pak mundësi ka, por nëse do të jetë i artë si i fashistëve grekë (këtu Meta do të kalonte ylberin dhe nga i majtë, siç të paktën e nisi LSI-në në 2004-n do të shndërrohej në ekstremisht i djathtë) ndoshta do të gjejë tavolinën e oportunistëve shtruar nga Sali Berisha...fundja edhe ky i fundit e ka nisur si i djathtë e përfundoi non grata nga vendi që promovon politikat e së djathtës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video