Ditët e fundit partia e Presidentit Ilir Meta që deri në 24 korrik do të drejtohet nga bashkëshortja e tij ka nisur një ofensivë ndaj prokurorëve të SPAK.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi reagoi pas pezullimit nga SPAK të disa kompanive të cilat kanë bërë fatura fiktive.
”SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, vetëm sot, tepër vonë, kur rolin dhe emrat e kompanive fiktive në skemën e aferës së inceneratorëve, ia kisha analizuar me fakte në kallëzimin e dorëzuar që para 1 viti...
Shqipëria nuk mund të mjaftohet me disa ish zyrtarë që janë sot prapa hekurave, jo si të dënuar, por në zbatim të masave të sigurisë.
Shqiptarët presin drejtësi të vërtetë për çdo zyrtar të korruptuar, pjesë të skemës së inceneratorëve.
Ndaj, nuk do rresht së drejtuari thirrjen dashamirëse: Mos merrni mbi shpatulla hallin e Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe Armando Subashit. As mos u intimidoni, as mos u joshni prej ofertave që mund t’iu kenë ardhur prej tyre. Sepse, për hallin e avokatit të inceneratorëve Erion Veliaj, ekzekutorit Engjëll Agaçi dhe pronarit të skemës korruptive Edi Rama, në vitin 2022 nuk mund të bëni kurban veten, drejtësinë, Shqipërinë”, shkruan Kryemadhi.
Pak orë më vonë ishte Briseida Shehaj që me një video në rrjetet sociale ironizonte SPAK-un ku thoshte se kanë mbyllur disa kompani të mbyllura.
Por çfarë ka ndodhur që marrëdhënia e ngrohtë mes Metës, partisë së tij dhe SPAK-ut po kalon një periudhë jo fort miqësore?
Siç e kemi thënë në disa shkrime më parë, kreu aktual i SPAK ka qenë një drejtor i antikorrupsionit në Kryeministri në kohën që Ilir Meta qeveriste.
Marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë e afërt, sa dhe në krye të SPAK, Kraja ka goditur çdo kundërshtar të Metës.
Shembuj domethënës janë rasti i Lefter Kokës, Alqi Bllakos, Saimir Tahirit apo dhe regjistrimi i çështjes për Ardian Dvoranin.
Përpos fajeve të këtyre personave, porosia për ta ka qenë direkt nga Meta, pasi nëse SPAK do të kishte seriozisht luftën ndaj korrupsionit do të kishim pas hekurave sot edhe Ilir Beqajn, Arben Ahmetajn, Engjëll Agaçin apo dhe plot funksionarëtë tjerë.
Mirëpo, LSI nuk është e kënaqur me punën e bërë nga SPAK për të goditur çdo kundërshtar pasi mandati i Krajës mbaron pas katër muajsh dhe ai që do të vijë ndoshta nuk do të jetë kokëulur ndaj Metës.
E të mos mjaftonte kjo, SPAK ka regjistruar disa kallëzime që janë bërë për Ilir Metën dhe anëtarë të familjes së tij biologjike dhe politike.
E para lidhej me një shkrim që bëri gazeta më e madhe austriake Kronen Zeitung, ku akuzonte Presidentin për lobim dhe e dyta për fshehje të të dhënave financiare pasi nuk ka deklaruar në organet shqiptare.
Kallëzimi është bërë nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili tha se disponon prova se Meta gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim. Përveç presidentit Ilir Meta, Valteri ka paditur në SPAK dhe Monika Kryemadhin, Vangjel Tavon, Petrit Vasilin etj.
Këto kallëzime që tashmë janë regjistruar në SPAK e kanë shqetësuar Metën që është duke intimiduar çdo prokuror që do të tentojë të nisë ndonjë hetim për të apo për njerëzit e tij.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.