Noterët kanë hartuar një draft ku propozojnë që divorcet kur ka dakordësi mes çiftit të mos përfundojnë në gjykatë, por të bëhen me akte të thjeshta noteriale.
Iniciativa është marrë nga drejtuesja e qendrës së trajnimit, noterja Elona Saliaj, e cila argumenton se për këtë nismë është nxitur nga numri i lartë i stokut të dosjeve në gjykata, por edhe ristrukturimit të sistemit të drejtësisë që po bëhet së fundmi në vendin tonë, me një hartë të re gjyqësore.
Për këtë propozim, thuhet se është marrë shembull nga vende të tjera përfshirë Greqinë, Spanjën, Letoni, Rumani ku zgjidhja e martesës bëhet te noteri.
"Nëse bashkëshortët kanë rënë dakord për zgjidhjen e martesës, duhet të bëhet një akt noterial dhe të depozitohet në gjendjen civile. Nëse ata bien dakord që fëmijët tu lihen për rritje dhe edukim njërit prind dhe detyrimi ushqimor prindit tjetër, atëherë të caktohet nga noteri një psikolog dhe pasi të merret raporti i përgatitur prej tij, ti bashkëlidhet aktit përkatës. Natyrisht që në çdo kohë nëse prindi tjetër nuk është dakord me këtë mënyrë mund të kërkojë në gjykatë në çdo kohë heqjen e përgjegjësisë prindërore", thuhet në draft propozim.
Në projekt marrëveshjen e noterizuar vihet theksi që një divorc në Gjykatë merr shumë kohë që shkon nga 28 ditë në 207 ditë, gjë që mund të nxisë edhe konflikte mes familjeve, pasi palët nuk mund të marrin asnjë vendim si marrja e një kredie, blerja e një pasurie në emër personal.