Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë as ngjyrë as kah politik. Por, nën drejtimin e Arben Krajës, disa aksione të SPAK-ut kanë vënë në mëdyshje edhe vetë deklaratat e kreut të Prokurorisë së Posaçme, që përsërit shpesh se ‘po heton nga të gjitha anët’.
Shembujt e deritanishëm nuk ja mbështesin këtë pohim, të paktën jo plotësisht. SPAK nuk duket i vërbër, ashtu siç është konceptuar drejtësia e re, por ka marrë lupën, duke krijuar përshtypjen se u është hedhur në kurriz të gjithë kundërshtarëve të Ilir Metës.
I fundit është mjeku pediatër, ndër më të mirët në vend, Aurel Vula. Vula ka dalë në përgjimet e SPAK lidhur me operacionin në Itali e Shqipëri për mashtrimin e korrupsionin në sistemin shëndetësor të vendit matanë Adriatikut.
Ai thotë se nuk ka asnjë lidhje me atë që është folur në media ndaj tij ditët e fundit për çështjen në fjalë. Vula deklaron se udhëtimet e tij në Itali kanë qenë rastësore shëndetësore, të lidhura me rrezikimin e jetës së prindërve të bashkëshortes së tij, me vjehrrën që ka ndërruar jetë. Ai thekson se si mjek pediatër nuk ka lëshuar asnjë certifikatë, apo epikrizë për pacientët e sugjeruar për shtrim në Itali dhe asnjë dokument të asnjë lloj natyre që mund të ketë lehtësuar procedurat e kalimit të shtetasve shqiptarë gjatë kohës së pandemisë në Itali.
Por çfarë e bën Aurel Vulën nga mjek pediatër në “armik” të Ilir Metës? Ai është bashkëshorti i juristes, Zhaklina Peto, kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, por që u largua nga gara, pasi Presidenti zgjodhi Sonila Bejtjan, gruan e Andi Bejtjas. Peto e komentoi me pakënaqësi këtë vendim të Presidentit, duke nënkuptuar se ky vendim ishte i dyshimtë dhe korruptiv.
“Armiku” tjetër i Metës që ka përfunduar në SPAK është ish-drejtori i RTSh-së, Thoma Gëllçi. Ky i fundit u mor me shpejtësi në hetim dhe dënua me burg për një tender, që sipas avokatit të tij i ka kursyer shqiptarëve 60 mln lek.
Ka dyshimet se edhe investimi energjik dhe i beftë i SPAK në këtë rast është ‘frymëzuar’ nga Presidenca, pasi tenderi nuk iu dha një kompanie që kishte kërkuar Meta. Në një intervistë televizive, avokati i Thoma Gëllçit, Dorian Matlija thotë se ish-drejtori i RTSH u ka kursyer taksapaguesve rreth 60 mln lek me vendimin për të zgjatur kontratën, pasi në të kundër rrezikonte penalitete.
“Thomai, pasi erdhi konfimimi nga Ministria e Financave, në 15 shkurt, bën një kontratë shtesë dhe thotë meqenëse kompania i kishte mallrat gati, po të kenë afat të dytë ti dorëzosh. Kontrata thotë pagesat do të kryhen brenda 365 ditëve sepse nuk kishte garanci se kur do të vinin paratë, por Ministria e kishte konfirmuar se do ti jepte. Pra u bë afati më i gjatë që RTSH të mos paguante penalitete. Doli më në fund akti normative për të dhënë fondin, është 24 dhjetor 2019. Sikur ta dinin specialistët që kjo punë do të vononte, prandaj i thanë vonoje një vit pagesën. Dhe qeveria ia dha me 10 muaj vonesë. Ka dhënë fiks 100 milionë lek. Nëse nuk do të bëhej kontrata shtesë, penalitetet do të ishin 5,909,380 lek”, deklaronte ai.
Hetimet e tjera të SPAK lidhen me Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, që të dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Ilir Metës, por që i pari kaloi me socialistët në zgjedhjet e 2017-s dhe Meta e LSI humbi njeriun kyç të fushatës në Durrës, ndërsa i dyti kaloi me PS pas periudhës si këshilltar i Metës. Në të dyja rastet, Meta duket se ka përdorur SPAK-un për t’u hakmarrë.
Përveç këtyre shembujve, përgënjeshtrimi me shpejtësi që SPAK i Arben Krajës i bëri pak ditë më parë një deklarate të gazetarit të kronikës, Artan Hoxha hedh edhe më tej benzinë në zjarrin e dyshimeve se Prokuroria e Posaçme po vepron për hesap të Ilir Metës.
Artan Hoxha tha se ishte informuar që Nuredin Dumani ka dëshmuar se Ilir Meta ka porositur vrasjen e një deputeti të PS-së në Lezhë. Hoxha nuk e përmend në emër, por dyshohet se bëhet fjalë për Aleksandër Ndokën, vëllain e ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka.
SPAK reagoi menjëherë duke deklaruar se Nuredin Dumani nuk e ka përmendur në asnjë moment Presidentin në dëshminë e tij. Por, gazetari Hoxha e sfidoi Arben Krajën duke nënkuptuar se ai ka dëshminë e plotë të Dumanit.
Një tjetër fakt është edhe heshtja me të cilën po përpiqet që ta kalojë Arben Kraja thirrjen e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës për të hetuar aferat korruptive madhore në të cilat dyshohet se është përfshirë Ilir Meta, që nga 21 janari e deri te dosja CEZ-DIA.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.