Tenderat e rindërtimit fiksohen, FSHZH mbyll sytë dhe i quan të suksesshëm

14 July 2022, 17:17Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tenderat e rindërtimit fiksohen, FSHZH mbyll sytë dhe i quan të

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë një sy qorr e një vesh shurdh përballë dyshimeve për përcaktimin e tenderave të rindërtimit.

Bëhet fjalë për 9 tendera në total, ku sipas dokumentacioneve të bëra publike 13 kompani pjesëmarrëse japin oferta identike në kufijtë e fondit limit.

Në tenderin për kolaudimin e punimeve në kuadër të rindërtimit të njësive të banimit pallat në Laç, fondi limit i vënë në dispozicion nga FSHZH është 1,228,249 lek. Sipas Euronews, në këtë tender kanë marrë pjesë 13 kompani dhe që të gjitha kanë paraqitur ofertën e njëjtë prej 1,013,851 lek.

Megjithatë, FSHZH e ka trajtuar krejtësisht si normale këtë anomali dhe nuk e ka referuar rastin as te Komisioni i Prokurimit Publik dhe as te ndonjë autoritet hetimor.

Fondi ka vijuar me vlerësimin e oferta duke shpallur fituese bashkimin e dy kompanive “Zenit & Co” me “Zetakonsult”. Ky bashkim ka marrë vlerësimin me 100 pikë në garë, ndërsa 12 kompanitë e tjera janë vlerësuar me 98 pikë.

I njëjti fenomen vihet re edhe në një tender me objekt të njëjtë për banesat në kuadër të procesit të rindërtimit në Manzë. Edhe këtu kanë marrë pjesë 13 kompani, pjesa më e madhe e tyre pjesëmarrëse edhe ne tenderin e Laçit.

Por, ndryshe nga rasti i Laçit, këtu 12 kompani kanë dhënë ofertën fikse prej 928,346 lek. Këtë oferta ka dhënë edhe bashkimi i kompanive “Zenit & Co” me “Zetakonsult”. Fituese në këtë tender është shpallur kompania “Arena MK”.

Sipas Euronews Albania janë edhe 7 procedura të tjera prokurimi, ku kompanitë që kanë marrë pjesë kanë dhënë oferta të njëjta, dhe tenderi është ndarë për njërën prej tyre, ndërsa te një procedurë tjetër, kompania që ka dalë fituese te i pari, me ofertë të barabartë, ka marrë më pak pikë.

Ky rast me tenderat në FSHZH është rast studimor edhe për Shqipërinë. Është hera e parë ku 13 kompani japin të njëjtën ofertë identike deri në qindarkën e fundit dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, as atyre dhe as autoritetit kontraktor.

Kompanita qartazi janë koordinuar në të gjitha këto procedura, duke shmangur garën dhe ndarë me njëra-tjetrën shumat e këtyre tenderave. Megjithatë, përgjegjësia kryesore bie mbi Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që jo vetëm që nuk kanë reaguar duke anuluar garën dhe denoncuar kompanitë, përballë fakteve të pakundërshtueshme të koordinimit, por ka shpallur tenderët të suksesshëm duke u bërë pjesë e lojës oligopol të kompanive.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit menaxhon miliona euro buxhet të rindërtimit për të gjithë zonat e prekura nga tërmeti jashtë territorit të Bashkisë Tiranë, ndërsa në 3 vitet e fundit ka pasur një nga buxhetet më të mëdha në infrastrukturën publike me vlerë 375 milion euro, të financuara nga taksat e shqiptarëve dhe donacionet e institucioneve të huaja.


Video