EKSKLUZIVE / Gaz Strategjiku zgjidh krizën energjetike: Siç e dini, Unë jam Gazsjellës…

2022-03-31 13:17:22Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Strategiku duke sjelle nafte ne plenumet e PS-se

TIRANË / DHËRMI / MALLAKASTËR - Një zgjidhje andej nga s’e prisnim për krizën energjetike që ka pllakosur vendin, - por që duhej pritur sepse e kishim para syve - ka ardhur ditët e fundit përmes aktorit të njohur të roleve taktike, Gaz Strategjikut.

Në një deklaratë për mediat, Gazi, që siç dihet është fëmijë arti dhe djalë i aktorit të shquar me emrin e plotë Buçi Ktheje Pllakën, Leri Këto Meselera me Xhixhilera, njoftoi se donte të sqaronte rolin e tij në marrjen e statusit të investitorit strategjik për një kompleks turistik në Dhërmi.

“Unë dua të sqaroj rolin tim… Se siç e dini, rolet janë specialiteti im. Po e nis nga fillimi. Origjina jonë si familje është nga Dhërmiu, por u zhvendosëm në Patos për një jetë më të mirë. Tani duam të kthehemi në Dhërmi për një jetë akoma më të mirë. Ato troje për përfliten lart e poshtë, unë i kam me ligj, m’i kanë dhënë pronarët e vjetër, që na bien kushërinj të largët. Unë jam aktor humori dhe dihet shkencërisht që humori të zgjat jetën. Pasi u tregova kushove barcaleta për një muaj rresht, atyre iu zgjat jeta aq shumë, sa në këmbim më dhanë parcelat. Merri, më thanë, se na u shkurtua jeta duke bredhur nëpër kadastra…”.

I pyetur sesi arriti që nga një e kaluar si Gaz i zakonshëm Mallakastre, të merrte statusin e Gazit Strategjik, ai shpjegoi me elokuencë:

“Dëgjo ore, maçok, unë statusin e meritoj. Kur dal unë në televizort, shakatë e kripura të Duçes janë pesë me hiç para gazit që sjell unë te populli i thjeshtë. Ty të duket kollaj të jesh gazsjellës? Ti mendon se mblidheshin lehtë delegatët e kongreseve dhe plenumeve të PS-së? Si do mbusheshin sallat plot po mos ta dinin se do vija unë, do merrja në patronazh gjithë eventin dhe do t’i mbaja me gallatë? A e dini ju se më kanë propozuar të bëhem gazsjellës zyrtar i partisë?”

Strategjiku bëri një pauzë taktike dhe shtoi:

“Ja pra, energjia që ofroj unë si gazsjellës nuk ka të krahasuar me një palo status prej palo investitori në një fshat të humbur andej nga jugu. Duhet të ma dini vlerën dhe të më shfrytëzoni sa jam akoma në Shqipëri. Përndryshe ta dini, do iki jashtë dhe do bëhem Gazi i Botës!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa prona të trashëguara në bregdet           

Video