Ka dështuar edhe sot përpjekja e 36-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
27 herë me radhë seanca po dështon te pika e njëjtë, që është formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Të hënën në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit kanë votuar 53 deputetë, kundër një dhe nuk ka pasur asnjë abstenim.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.
Fituesja e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.
Subjekti, që udhëhiqet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin.
Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, dhe ato kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.
Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit, nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim”.