2026-10-21 14:31:00Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jonaid Myzyri

Një tjetër aferë është gatuar nga ish-kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, me firmën “Rej”, duke i dhënë fillimisht kësaj të fundit në “tavolinë” një shumë prej rreth 1.4 milionë euro, por më pas po vetë, pranoi gabimet pas vendimit të Gjykatës Administrative. 

Në pjesën e parë të investigimit, Vox News faktoi se, drejtuesi aktual i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, gjatë kohës që ishte në “apelin” e prokurimeve, i dha familjes Kapri tenderin e shërbimit të pastrimit të Spitalit Psikiatrik të Vlorës, Ali Mihali. 

Me manovra tepër të dyshimta, por gjithmonë kanë lënë gjurmë, ai ka vulosur tenderin për këtë kompani, një marrëdhënie që duhet hetuar dhe verifikuar nga organet ligjzbatuese. Në redaksinë e Vox News kanë mbërritur të tjera denoncime për këtë aferë, e cila sa vjen dhe rëndohet, duke qenë se Myzyri vijon t’a ketë kompaninë Rej të preferuar, kësaj herë te OBP. 

“Rasti i dytë është prokurimi i spitalit Psikiatrik të Vlorës, Ali Mihali. Dhe në këtë prokurim, në mënyrë tepër të hapur, Jonaid Myzyri, i jep kontratën ‘Rej’ shpk gjithmonë duke shkelur ligjin dhe favorizuar firmën pogradecare. Në atë kohë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, nxjerr renditjen. Me pas, kompania ‘Clean Fast’ shpk ankimon me të drejtë në KPP dhe kërkon skualifikimin e REJ shpk. Ankesa nuk u morr fare parasysh, sado e bazuar në ligj” thuhet në denoncim. 

Faksimile; Vendimi i KPP-së i muajit janar 2025, për mospranimin e ankesave për firmën Rrej 

I njëjti burim i tha redaksisë sonë se për kompaninë “Rej” shpk nuk funksiononte ligji nën drejtimin e Jonaid Myzyrit. Ai shton se, ashtu si dhe rastin e parë, KPP në bazë të vendimit me numër 70 të muajt janar 2025, nuk pranoi aneksën e kompanisë “Clean fast”, pavarësisht se kishim të bënim me një shkelje të rëndë. 

“Këtu mjafton që të shohim mendimin kundër të këtij vendimi të njërit prej anëtarëve të KPP-së, ku shprehet qartë se arsyet se kualifikimi i ‘Rej’ është paraqitja e vërtetimit të pagesës së OSHEE (energjisë elektrike), ku OE ka paraqitur vetëm një vërtetim debie, kur duhej të paraqiste vërtetimet për të gjitha niptet sekondare, ku ushtron veprimtarinë e tij” tha i njëjti burim. 

Faksimile: Mendimi kundër i njërit prej anëtarëve të KPP-së për ankesën e kompanisë “Clean Fast” 

Duket se, Myzyri ka vepruar hapur në favorizimin e kësaj firme. Pavarësisht se kishte një mal me abuzime, ai sërish e noterizoi firmën për t’i dhënë 1.4 milionë euro për pastrimin e Spitalit Psikiatrik, Ali Mihali në Vlorë. Madje e shpalli edhe fitues, teksa çështja shkoi më pas në Gjykatën Administrative të Apelit. 

Faksimile: Gjykata e Apelit e ka skualifikuar firmën Rej për një mori parregullsish 

Vox News ka shfletuar dokumente të tjera ku rezulton se Jonaidi ka bërë një prapaktheu në gjithë këtë histori, ndoshta nga frika e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme. Gjykata pranoi padinë e “Clean Fast” dhe detyroi Operatorin e Blerjeve të Përqendruara (tashmë të drejtuar nga vetë Jonaid Myzyri) për t’i dhënë tenderin 1.4 milionë euro. 

Në mënyrë tepër të turpshme, Myzyri zhbëri vendimin e tij kur ishte në KPP dhe rishpalli fituesin. Por, gjithmonë dokumentet lënë gjurmë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një aferë në dëm të buxhetit të shtetit. I njëjti individ duket se është kthyer në makthin e buxhetit, pasi po tenderon dhjetëra miliona euro pa asnjë garë. 

(Vijon ...)

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video