Alarm për bombë në institucionet më të rëndësishme të Shqipërisë, kush po tenton të destabilizojë vendin?!

2026-08-27 10:49:52Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një valë e pazakontë kërcënimesh për bombë ka vënë në alarm mëngjesin e sotëm disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, duke aktivizuar forcat e Policisë, Antiterrorin dhe njësitë e specializuara për kontrollin e eksplozivëve.

Mes institucioneve të kërcënuara rezultojnë SPAK dhe GJKKO, ndërsa mesazhe të ngjashme janë raportuar edhe në gjykata, prokurori, bashki, spitale dhe institucione të tjera në disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Vlorën dhe Fierin.

Sipas informacioneve të deritanishme, kërcënimet janë dërguar përmes emailit nga një adresë e huaj. Në njërin prej mesazheve pretendohej se ishte vendosur një bombë, ndërsa në një tjetër paralajmërohej se lënda shpërthyese do të aktivizohej brenda dy orësh.

Situata ka bërë që autoritetet të reagojnë menjëherë.

Në ambientet e SPAK dhe GJKKO kanë mbërritur efektivë të Antiterrorit, të pajisur me mjete të specializuara dhe qen të trajnuar për zbulimin e lëndëve eksplozive. Kontrollet janë shtrirë në ambientet e institucioneve për të përjashtuar çdo rrezik të mundshëm.

Edhe në Vlorë alarmi ka përfshirë disa institucione kryesore, mes tyre Gjykatën, Bashkinë, Prokurorinë dhe Spitalin. Njësia Speciale Operacionale e Policisë së Vlorës ka kryer kontrolle të hollësishme, por pas verifikimeve nuk është konstatuar asnjë bombë apo objekt i dyshimtë, duke e klasifikuar sinjalizimin e deritanishëm si alarm të rremë.

Në Fier, Policia ka shtuar masat e sigurisë, duke vendosur patrulla pranë institucioneve të qarkut dhe duke vijuar monitorimin e situatës në terren.

Megjithatë, fakti që mesazhe kërcënuese janë dërguar pothuajse njëkohësisht drejt një numri të madh institucionesh dhe se mes objektivave ndodhen struktura kyçe të drejtësisë, ngre pikëpyetje mbi motivin dhe personat që qëndrojnë pas tyre.

A kemi të bëjmë thjesht me një kërcënim të rremë të koordinuar, apo me një tentativë të qëllimshme për të krijuar panik, për të paralizuar përkohësisht institucionet dhe për të prodhuar një klimë pasigurie në vend?

Kjo pritet të jetë një prej çështjeve kryesore që do të duhet të zbardhin hetimet.

Autoritetet po punojnë për të identifikuar origjinën e emaileve, adresën nga janë dërguar, infrastrukturën elektronike të përdorur dhe personin apo personat që qëndrojnë pas kërcënimeve.

Deri tani nuk raportohet për gjetjen e ndonjë lënde eksplozive, ndërsa hetimet për autorin e mesazheve kërcënuese vijojnë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video