2026-10-26 18:40:06Pikëpamje SHKRUAR NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Fitorja e studentëve në Serbi

Mbrëmë, Aleksandar Vuçiçi pranoi humbjen. Rezultatet e numërimit të votave sot tregojnë se Lista Studentore po shkon drejt fitores. Një zhvillim i rëndësishëm për Serbinë. Hapet mundësia për largimin e një regjimi autoritar dhe ardhjen në pushtet të një lëvizjeje që synon demokratizimin e vendit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Por, parë nga këndvështrimi i Kosovës dhe i interesave kombëtare shqiptare, ky zhvillim ngre edhe pikëpyetje serioze.

Lista Studentore e ka kritikuar Vuçiçin jo për qëndrimet e tij nacionaliste ndaj Kosovës, por për lëshimet që, sipas saj, ka bërë në dëm të interesave serbe. Memorandumi i Listës, i majit të këtij viti, e shpall Kosovën pjesë të pandashme të Serbisë. Madje, ruajtjen e saj e quan emërues të përbashkët të përpjekjeve të lëvizjes. Këto qëndrime ngrenë mundësinë e një politike edhe më agresive ndaj Kosovës.

Ka edhe një element tjetër. Drejtuesi i Listës Studentore, Ilija Srdanović, ka deklaruar se përparësi ka mbijetesa e shtetit serb. Integrimi në Bashkimin Europian vjen më pas dhe për të mund të vendoset me referendum. Nëse kjo qasje kthehet në politikë qeveritare, mund të dobësohet ndikimi i perspektivës europiane mbi qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës. Kjo do ta dobësonte përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Mund të shtojmë edhe një faktor tjetër që meriton vëmendje. Lista Studentore është një grupim tejet heterogjen. Deri tani, atë e ka bashkuar kryesisht kundërshtimi i regjimit të Vuçiçit. Por zgjedhjet janë vetëm fillimi. Ruajtja e unitetit do të jetë një sfidë gjatë formimit të qeverisë dhe, sidomos, gjatë qeverisjes. Në këto kushte, nacionalizmi serb mund të shërbejë si një pikë e fortë bashkimi. Çështja e Kosovës, në veçanti, mund të bëhet një nga  emëruesit e përbashkët të forcave që kanë dallime të mëdha për shumë çështje të tjera.

Zhvillimet e ardhshme do të tregojnë nëse këto hamendësime qëndrojnë. Një Serbi më demokratike mund të krijojë kushte më të mira për dialog dhe marrëdhënie fqinjësore. Por mbetet e hapur pyetja nëse ndryshimi i pushtetit do të shoqërohet edhe me një qasje të re ndaj Kosovës.

Në këto rrethana fitorja e Listës Studentore meriton të mirëpritet si një mundësi për demokratizimin e Serbisë, pa nxituar në përfundime për ndikimin e saj në çështjen e Kosovës. Për këtë do të flasin më qartë qëndrimet dhe veprimet e qeverisë së ardhshme.


Video