Drejtoria e Hetimit Tatimor gjatë vitit 2025 ka shtrirë fokusin e kontrollit edhe te individët me pasuri të lartë.
Hetimet janë përqendruar kryesisht te individët që gjenerojnë të ardhura nga rrjetet sociale, posedojnë makina luksoze apo zhvillojnë aktivitet në tregjet financiare.
Të dhënat e Tatimeve tregojnë se janë verifikuar 150 individë nga objektivi dyvjeçar prej 200 individësh për periudhën 2025–2026.
Nga këta, për 46 individë janë përfunduar vlerësimet tatimore, duke rezultuar në detyrime të konstatuara për evazion fiskal në vlerën totale prej 107,480,898 lekë.
Ndërkohë, 104 individë të tjerë janë ende në proces vlerësimi dhe pritet që detyrimet përkatëse të evidentohen gjatë vitit 2026.
Po kështu, janë trajtuar 48 kërkesa për kontroll dhe 5 për rikontroll, ndërsa janë propozuar 46 vlerësime tatimore ndaj subjekteve dhe 22 ndaj individëve.
Nga këto, janë përfunduar 19 kontrolle me detyrime tatimore në vlerën 153,751,317 lekë dhe 4 rikontrolle që kanë rezultuar me detyrime edhe më të larta, në total 736,931,254 lekë.
Po ashtu, 34 vlerësime ndaj subjekteve kanë evidentuar detyrime në masën 18,179,956,752 lekë, ndërsa 4 vlerësime ndaj individëve kanë rezultuar me 17,059,033 lekë detyrime.
Një pjesë e këtyre rasteve janë referuar për ndjekje penale. Konkretisht, 7 kontrolle dhe 4 vlerësime ndaj individëve janë referuar në Prokurori për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”, ndërsa 23 raste të tjera që lidhen me subjekte janë dërguar gjithashtu për ndjekje penale.
Në total, gjatë vitit 2025 janë referuar 95 çështje në Prokurori, të lidhura kryesisht me fshehje të ardhurash, mospagim tatimesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas përmbledhjes së të dhënave, vlera e detyrimeve të evidentuara nga hetimet sipas dispozitave të Kodit Penal arrin në mbi 10.3 miliardë lekë për nenet që lidhen me fshehjen e të ardhurave, 70.9 milionë lekë për veprat që lidhen me mashtrimin dhe 517.7 milionë lekë për rastet e pastrimit të parave.
Raporti evidenton gjithashtu një rritje të sofistikimit të skemave të evazionit, veçanërisht përmes përdorimit të faturave fiktive për përfitime të padrejta nga rimbursimi i TVSH-së.
Në këtë kontekst, përfshihen shoqëri tregtare fiktive, kryesisht me objekt aktiviteti shërbimesh, duke qënë më e vështirë faktimi i punës së kryer sesa në rastet kur ka mallra, dhe vërtetimi që puna nuk është kryer dhe shërbimi është fiktiv është më e vështirë të provohet.
Këto shoqëri operojnë për një kohë të shkurtër dhe më pas pezullohen ose lihen me detyrime të papaguara.
Kësaj skeme i shtohen edhe fshehja e ortakëve, ku ortakët de facto të shoqërive tregtare, të cilët aplikojnë për rimbursim tvsh-je apo faturime fiktive, fshihen dhe nuk dalin në pah, por përdorin persona të tjerë si ortakë fiktivë, de jure në dokumentacionin e shoqërisë./ekofin