
Edi Rama mblodhi strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë 4 në Tiranë, ku shpalosi edhe një sërë justifikimesh për çmimin stratosferik të naftës në Shqipëri.
A përmendi krizën në Ngushticën e Hormuzit, kontrabandën, naftën tranzit, markues kimikë, ngjyrues të rinj dhe kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk tha asnjë fjalë për arsyen kryesore pse nafta në Shqipëri është kaq e shtrenjtë, taksat e larta që vetë qeveria ka vendosur mbi çdo litër karburanti.
Në fjalën e tij, Rama tha se qeveria po përgatit hyrjen në tregun e naftës me një kompani publike, me pretendimin se kjo do të garantojë që qytetarët të mos paguajnë më shumë sesa duhet dhe se rezervat do të jenë të sigurta.
Sipas tij, formalizimi i tregut dhe lufta kundër kontrabandës do të ndihmohen nga një sistem i ri gjurmimi të karburantit, i zhvilluar në bashkëpunim me një kompani shtetërore nga Emiratet.
“Ne sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por që është problem edhe përtej krizës. Ajo kriza e shkaktuar në Ngushticën e Hormuzit e ka rritur çmimin gjithandej etj, por ne kjo na gjen në kohën kur ne kishim filluar që do hyjmë në tregun e naftës me një faktor publik, një kompani publike. Dhe pse? Në atë kohë nuk kishte lufte. Do hyjmë që të garantojmë që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve, nuk detyrohen të paguajnë më shumë se sa u takon. Dhe për të siguruar që rezerva të jetë.
Kemi pasur një naftë që markohej, i vendosej një komponent kimik për të identifikuar atë që hyn ligjërisht, jo kontrabandë. Ne u përpoqëm ta rregullojmë sa mundeshim. Ishte bojë që hollohej kollaj apo sajohej kollaj. Tani me kompaninë publike që kemi krijuar, bashkë me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara Arabe, do nxjerrim për 1-2 muaj një tjetër ngjyrues që është i pa manipulueshëm dhe do ndihmojë për të formalizuar tregun e naftës sepse nga analizat që bëjmë ka një sasi nafte jashtë radarëve të shtetit.
Tjetra që ndodh është nafta tranzit, që hyn këtu për të shkuar në vendet e tjera fqinje dhe një pjesë e saj mbetet këtu ilegalisht. Edhe për këtë kemi një produkt me të njëjtën kompani për të ndjekur gjithë naftën tranzit”, u shpreh Rama.
Në fund, ka një fakt shumë të thjeshtë që Rama nuk e thotë: për çdo litër nafte në Shqipëri, rreth 115 lekë janë vetëm taksa. Kjo është arsyeja kryesore pse karburanti këtu del shumë më i shtrenjtë se në vendet fqinje.
Në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi, barra fiskale mbi naftën është dukshëm më e ulët, thuajse afër gjysmës në disa raste, dhe si rezultat edhe çmimi final në pompë del ndjeshëm më i lirë. Prandaj nuk është rastësi që sa herë lëvizin çmimet, pikat kufitare mbushen me shqiptarë që mbajnë radhë për të furnizuar makinat në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi. Sepse problemi nuk është vetëm tregu, as vetëm kriza ndërkombëtare. Problemi është se shteti shqiptar e ka ngarkuar litrin e naftës me aq shumë taksa, sa qytetari detyrohet të kërkojë zgjidhje jashtë vendit.