
Holta Zaçaj është zgjedhur zëvendës guvernatore e Bankës së Shqipërisë, pak javë pasi u zgjodh në Bankën Qendrore me mbështetjen e deputetëve socialistë, në përfundim të mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi është marrë këtë të mërkurë, në mbledhjen e datës 1 prill 2026, nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
"Në mbështetje të nenit 44 të ligjit 8269/1997 "Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi dhe emëroi zj. Holta Zaçaj në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë", thuhet në njoftimin e BSH.
Holta Zaçaj ka lindur më 12 janar 1976 në Tiranë, ndërsa është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetown në SHBA, në kuadër të programit Fullbright.
Rrugëtimin profesional e ka nisur si juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, duke u angazhuar në vitet 1999- 2001, në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, projekti për krimet e luftës në Kosovë. Deri në vitin 2025, ajo ishte kryetare e Gjykatës Kushtetuese.