Bilanci i Tatimeve: 18.8 milionë lekë gjoba në 2025

1 Prill 2026, 13:02Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Tatimet kanë vendosur 376 penalitete me vlerë totale 18.84 milionë lekë gjatë vitit 2025, në kuadër të trajtimit të denoncimeve, kontrolleve në terren dhe verifikimeve për shkelje të legjislacionit tatimor.

Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e gjobave lidhet me mallra pa faturë, mosdeklarim punonjësish, moslëshim fature apo autofature, si edhe shkelje të lidhura me fiskalizimin. Krahas penaliteteve monetare, administrata tatimore ka ndërmarrë edhe masa të tjera ndëshkuese, përfshirë 31 raste bllokimi aktiviteti dhe sekuestrimin e 38 njësive kompjuterike në 18 subjekte.

Gjatë vitit 2025 janë kryer në total 2,317 kontrolle, nga të cilat janë konstatuar 2,215 shkelje, me një vlerë totale prej 149.3 milionë lekësh. Shkeljet më të shpeshta të evidentuara nga tatimet gjatë vitit rezultojnë të kenë qenë moslëshimi i faturës tatimore, ku janë penalizuar 540 tatimpagues, i ndjekur nga 443 raste mallrash pa dokumentacion tatimor dhe 300 raste për moslëshim autofature. Po ashtu, janë evidentuar 198 tatimpagues me punonjës të padeklaruar, 113 raste për mospërditësim të të dhënave, 97 raste për mosinstalim të sistemit të fiskalizimit dhe 96 subjekte të paregjistruara në organin tatimor. Në këtë panoramë, bie në sy edhe sekuestrimi i 156 njësive kompjuterike të 85 tatimpaguesve, çka tregon se kontrollet nuk janë kufizuar vetëm në vendosje gjobash, por edhe në masa më të forta administrative.

Sipas objektit të punës, vlera më e lartë e shkeljeve është evidentuar në kontrollet mbi listat DMR, me 657 shkelje dhe 56.4 milionë lekë, si edhe tek tatimpaguesit që ushtrojnë tregtim të produkteve bujqësore e blegtorale, ku janë konstatuar 582 shkelje me vlerë 48.2 milionë lekë. Ndërkohë, kontrollet e nisura nga raste abuzive apo ankesa kanë prodhuar 432 shkelje me vlerë 19.5 milionë lekë, ndërsa bashkëpunimi me strukturat e tjera ligjzbatuese ka çuar në 179 shkelje me vlerë mbi 11 milionë lekë.

Bilanci i Tatimeve: 18.8 milionë lekë gjoba në 2025
Janar- Dhjetor 2025

Një kapitull më vete zënë verifikimet e kryera gjatë sezonit turistik 2025, për periudhën qershor-shtator, kur tatimet intensifikuan kontrollet në terren në zonat me aktivitet më të lartë ekonomik. Gjatë kësaj periudhe janë kryer 680 verifikime, nga të cilat janë evidentuar 873 shkelje me një vlerë totale prej 69.34 milionë lekësh. Efektiviteti i kontrolleve ka rezultuar i lartë, pasi numri i shkeljeve ka qenë më i madh se vetë numri i verifikimeve, me një normë totale efektiviteti prej 128%.

Gjatë aksionit të verës, tatimet kanë sekuestruar në total 84 njësi kompjuterike në 64 subjekte, kanë bllokuar 8 subjekte për moslëshim fature për herë të dytë dhe kanë hasur edhe një rast pengimi kontrolli. Këto të dhëna tregojnë se sezoni turistik mbetet një nga periudhat më të ndjeshme për informalitetin, sidomos në aktivitetet me qarkullim të lartë dhe ekspozim më të madh ndaj pagesave cash.ekofin.al


Video