Shqipëria do të prodhojë armë. Zero taksa për kompanitë që investojnë mbi 25 milionë Euro

10 Qershor 2024, 10:25Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Qeveria ka gati projektligjin, sipas të cilit synon të rikthejë industrinë e prodhimit të armatimeve ushtarake në vend.

Projektligji ngre një agjenci shtetërore, që do të quhet Agjencia e Industrisë Ushtarake.

Detyrat e kësaj agjencie do të jenë licencimi dhe mbikëqyrja e subjekteve private, ose shtetërore që kërkojnë të investojnë në prodhimin e armëve në vendin tonë.

Ligji nuk përjashton mundësinë që subjektet private ose shtetërore të jenë të huaja, ndërsa parashikon një sërë detyrimesh, por edhe lehtësirash fiskale për këto kompani. Sipas projektligjit, kompanitë që do të licencohen për prodhim armësh në vend do të duhet që të kenë një plan fillestar investimi prej të paktën 25 milionë eurosh, nga të cilat pesë milionë të investohen që në vitin e parë të aktivitetit.

Subjekti duhet të paraqesë një plan të detajuar biznesi afatshkurtër 3-vjeçar, i cili tregon pritshmëritë për zhvillimin e aktivitetit të tyre, përfshirë pritshmëritë për punësim, inovacionin dhe teknologjitë që do të përdoren, si dhe kontributin në ekonominë lokale dhe sigurinë kombëtare.

Në këmbim qeveria do t’u mundësojë procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë, sipas legjislacionit në fuqi, normë të tatimfitimit zero për 10 vitet e para të aktivitetit; ulje e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 10 përqind, për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak, si dhe çdo përjashtim tjetër tatimor i aplikueshëm, bazuar në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;

Kompanitë do të përjashtohen edhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë si dhe nga taksa vendore dhe qendrore e pasurisë së paluajtshme që përdoren për qëllime prodhimi dhe përjashtim nga taksat e zhdoganimit për produktet që nevojiten për prodhimin e armëve për një periudhë 10-vjeçare.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video