Financimet e projekteve në turizëm, përcaktohen kriteret dhe afatet. Kush përfiton?

6 Qershor 2024, 12:45Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Subjektet që kanë ide për të vënë në jetë projekte në fushën e turizmit do të mbështeten deri në masën 100% nga buxheti i shtetit. Udhëzimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton kriteret dhe afatet në lidhje me kërkesë-propozimet për të përfituar mbështetje  financiare për projekte

Konkretisht sipas udhëzimit, për të përfituar financim aplikimet duhet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në vend; të promovojnë industrinë e turizmit për  zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës;  të promovojnë produktet dhe destinacionet  turistike, vlerat e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit në përputhje me kalendarin turistik të aktiviteteve zbavitëse; të nxisin edukimin profesional të burimeve  njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit, në funksion të rritjes së cilësisë dhe përmirësimin e shërbimit; të ndikojnë në digjitalizimin e industrisë së  turizmit për të rritur efikasitetin e përpjekjeve për zhvillim të produkteve dhe shërbimeve inovative; si dhe të përmirësojnë kornizën e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike.

Për të përfituar, aplikantët duhet të jenë të regjistruar si biznes sipas legjislacionit në fuqi, të kenë eksperiencë në fushën e turizmit, të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, të mos kenë detyrime tatimore të pashlyera si dhe të kenë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Kërkesë propozimet mund të paraqiten përgjatë gjithë vitit buxhetor, dhe pas shqyrtimit dhe miratimit të tyre, pagesat e përfituara nga fondi buxhetor do të  kryhen 60% e vlerës, të  paktën 5 ditë përpara fillimit  të projektit dhe 40% e vlerës në përfundim të  projektit, kundrejt dokumenteve që vërtetojnë  zhvillimin dhe shpenzimet e kryera në shërbim të tij.

Video