Mineralet shqiptare, 552 leje aktive në vitin 2023. Kush dominon më shumë?

6 Qershor 2024, 10:27Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Numri i lejeve minerare mbeti thuajse i pandryshuar gjatë vitit 2023, në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në total viti që shkoi numëroi 552 leje minerare aktive, nga 554 që ishin një vit më parë.

Ndërkaq, edhe për vitin 2023 aktiviteti minerar u dominua nga nxjerrja e mineralit të kromit, me rreth 43% të lejeve aktive. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore numërohen 236 leje për nxjerrjen e këtij minerali, një numër i njëjtë lejesh edhe me vitin 2022.

Gjithsesi, sipas të dhënave nga AKBN prodhimi i këtij minerali gjatë vitit të shkuar shënoi rënie në raport me një vit më parë. Në total, gjatë vitit 2023 u prodhua rreth 921 mjë ton krom, apo rreth 12 mijë ton më pak se 2022-i, kur u prodhua rreth 933 mijë ton.

Në vendin e dytë renditet guri gëlqeror, me 137 leje apo 25% të totalit, ndërsa pas tij është guri gëlqeror i mermerizuar me 34 leje apo 6.2% e totalit. Praktikisht 75% e aktivitetit minerar në Shqipëri zihet nga këto 3 minerale. Ndërkaq, aktualisht janë aktive edhe 31 leje për hekur nikeli, 17 leje për nxjerrjen e mineralit të bakrit, 16 leje për ranor, 16 leje për gëlqeror pllakor dhe 11 leje për argjilë.

Pjesa tjetër e aktivitetit minerar në vend shtrihet te lejet e gëlqerorit dekorativ gipsit e alabastrës, rërës e zhavorit bituminoz, etj.

Video