Nis rënia e eksporteve të vajit të ullirit, ulen 58 përqind në përiudhën Janar-Tetor 2024

13 Nëntor 2024, 12:56Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pas rritjes së lartë të eksporteve të vajit të ullirit në 2023, sivjet ka nisur rënia e tyre.

Sipas të dhënave të Doganave, për periudhën janar-tetor 2024 janë eksportuar 2,418 mijë kg vaji ulliri. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar eksportet janë ulur 58,4%.

Rritja e eksporteve, kryesisht të vajit rifuxho drejt Italisë u nxit pas bumerangut të krijuar me mbiprodhimin e vitit 2022, ku fermerët nuk gjenin treg shitje për vajin e ullirit.

Në total në 2023 u eksportuan 6,148 mijë kg vaj ulliri. Krahasuar me 2022 sasia e importuar u rrit me 19 herë. Vlera e eksporteve për 2023 arriti në 2,9 miliardë lekë. Në raport me 2022, eksportet në vlerë u rritën 14 herë më shumë.

Vjet në muajin nëntor fermerët fillimisht e shitën vajin e ullirit rifuxho për eksport te pikat e grumbullimit, me çmim 360 deri në 400 lekë për litër. Më pas në muajin korrik 2024, çmimi i grumbullimit të vajit për eksport arriti 500 deri në 540 lekë për litër. Në këtë periudhë, vaji i ullirit i prodhuar nga fermerët shqiptarë po kërkohet më së shumti nga tregtarët italianë, me çmim 500 deri në 550 lekë për litër.

Pikat e grumbullimit dhe përpunuesit pohuan që vaji që u eksportua jashtë, kryesisht në Itali është rifuxho, që më pas përpunohet jashtë dhe del si markë italiane. Sipas përfaqësuesve të pikave të grumbullimit, çmimi i kërkuar nga përpunuesit italianë është i ulët, dhe nuk përfiton as fermeri dhe as ekonomia shqiptare, por vetëm sa zbraz sasinë e vajit të grumbulluar te shtëpitë e kultivuesve.

Edhe me prodhimin e ri kërkesa për eksportin e vajit rifuxho nga pikat e grumbullimit është e lartë, por prej tyre po kërkohet që vaji të grumbullohet me çmim nën 550 lekë për litër. Për këtë arsye shumë fermerë nuk po çojnë vajin ullirit në pikat e grumbullimit, me destinacion eksportin e tij drejt Italisë. Ndërkohë nga përpunuesit vendas vaji i ullirit po grumbullohet me çmim deri në 630 lekë për litër.

Përveç eksporteve rifuxho, në vend shumë përpunues eksportojnë vajin e ullirit “ekstra virgin” me markën e tyre. Por ato thonë se pavarësisht lehtësisë fiskale të përjashtimit të TVSH-së, këtë vit shtrenjtimi i kostos prodhuese ka sjellë që çmimi i shitjes të mos jetë konkurrues krahasuar me prodhuesit spanjollë apo italianë.

Sipas përpunuesve sivjet u shtrenjtua kostoja për prodhimin e vajit të ullirit e ndikuar nga përgjysmimi i rendimentit dhe rritja deri në 50% e pagesave të vjelësve./MONITOR

Video