Gjoba deri 1.5 mln lekë hoteleve që s’instaluan impiantet; Shqyrtohet padia për udhëzimin

12 Nëntor 2024, 11:42Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në Gjykatën e Apelit Administrativ mbahet sot seanca për shqyrtimin e padisë për shfuqizimin e udhëzimit që përcakton vendosjen e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura pranë hoteleve të zonave bregdetare, liqenore dhe lumenjve.

Shqyrtimi i padisë nga Apelin Administrativ ishte parashikuar të mbahej më 11 Shtator 2024, por u shty me qëllim riformatimin e trupës gjykuese.

Padia për shfuqizimin e udhëzimit “Për miratimin e rregullores teknike mbi standardet për trajtimin e ujërave të ndotura për subjektet që shkarkojnë ujëra të ndotura dhe të patrajtuara pranë ose në ujëra larës” është depozituar në Apelin Administrativ nga Shoqata Rajonale e Turizmit Aulona (ARTA), shoqata e turizmit ATA dhe Unioni Turistik Shqiptar.

Në padi nga 3 shoqatat kërkohet shfuqizimi i nenit 6 të udhëzimit që përcakton se “Subjektet që ushtrojnë veprimtari ekzistuese, janë në proces ndërtimi ose kanë aplikuar për leje ndërtimi, në bazë të kapacitetit dhe zgjidhjeve teknike ekzistuese apo që janë planifikuar për t’u zbatuar, të lidhura ose jo me rrjetin publik te kanalizimeve, duhet të instalojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura sipas përcaktimeve të kategorive shprehur në nenin 2, të Aktit Normativ nr.8, datë 28.12.2023”.

Po sakaq, task forcë e Agjencisë Kombëtare së Ujësjellës Kanalizimeve pas nismave sensibilizuese gjatë muajve të verës ka nisur ndaj bizneseve edhe dënimet administrative me gjobë.

Prej gati 2 javësh një sërë strukturash akomoduese në qytetin e Pogradecit ngrenë shqetësimin se janë gjobitur me gjoba me vlerë deri në 1,500,000 lekë për mungesën e instalimit të këtyre impianteve. Subjektet e gjobitura pohojnë se kërkesa jo vetëm është arbitrare, pasi ata paguajnë detyrimin për largimin e ujërave të ndotura, por i ngarkon ata me kosto të lartë.

Në këtë zonë ujërat e strukturave akomoduese trajtohen nga impianti i trajtimit të tyre, që ka nisur të funksionojë që prej vitit 2009, me financim të Kfw.

Bizneset janë të detyruar të investojnë në këto impiante në vlera të konsiderueshme, që arrijnë deri në 100 mijë euro.

Përveç kësaj bizneset po hasin vështirësi edhe në gjetjen e sipërfaqeve të lira ku mund të instalohen impiantet, pasi janë në volume të mëdha dhe duhet të gërmohet nën tokë. Ndaj bizneseve që nuk disponojnë sipërfaqen e nevojshme për instalimin e këtyre impianteve u është kërkuar vendosja e tyre në shëtitore, duke rrezikuar ndotjen ambientale.

Po ashtu në pikun e sezonit turistik hoteleve në zonat turistike të jugut dhe të Durrësit u është kërkuar sërish nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) nëpërmjet një njoftimi detyrimi për instalimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.

Dërgimi i njoftimeve për operatorët turistikë erdhi pas fushatës së ndërmarrë për vendosjen e tabelave identifikuese me rreth të kuq para bizneseve që nuk kanë instaluar impiantet që kushtojnë deri në 100 mijë euro.

Nga bizneset është ngritur disa herë shqetësimi edhe në nisje të sezonit turistik se instalimi i impianteve të kërkuara që kushton në vlera nga 40, 80 deri 100 mijë euro është e papërballueshme.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve z. Enri Jahja pohon se kjo praktikë është arbitrare, pasi po u kërkohet bizneseve t’u paguhet 2 herë për të njëjtin shërbim, kur ata kanë një kontratë me ujësjellës-kanalizimet për trajtimin e ujërave të ndotura.

Jahja gjithashtu thotë se udhëzimi ëhstë në kundërshtim me Aktin Normativ nr. 8 datë 28.12.2023 “Për marrjen e masave urgjente, për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës, për trajtimin e ujëarve të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse”.

Neni 3 i Aktit Normativ përcakton se subjektet që duhet ta zbatojnë këtë dispozitë, janë ato pranë ujërave bregdetare, bregut të liqenit apo lumenjve që shkarkojnë ujëra të ndotura të patrajtuara, pranë ose në ujërat larës. Ndërkohë instalimi i impianteve p u kërkohet të gjitha bizneseve.

Udhëzimi i përbashkët i ministrive të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Turizmit dhe Mjedisit hyri në fuqi më 2 shkurt 2024, pas publikimit në Fletoren Zyrtare më 5 janar 2024 të Aktit Normativ “Për marrjen e masave urgjente, për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës, për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse”.

Në udhëzim përcaktohen standardet teknike që duhen të ndiqen nga subjektet pranë zonave bregdetare, liqenore dhe lumenjve, për zëvendësimin e gropave skeptike me instalimin e impianteve bashkëkohore për trajtimin e ujërave të ndotura.

Sipas udhëzimit të përbashkët bizneseve iu lihej afat deri në fund të muajit mars të instalojnë pajisjet apo sistemet e përcaktuara ose në të kundërt, siç përcaktohet në Aktin Normativ nëse Task-Forca, pas kryerjes së monitorimit dhe inspektimit, kur konstaton mosvendosjen e impiantit apo sistemit individual në përputhje me rregullat teknike për trajtimin e ujërave të ndotura, bizneset do të dënohen me gjoba që variojnë nga 1,500,000 lekë deri në 2,650,000 lekë.

Kujtojmë se padia për shfuqizimin e nenit 6 të udhëzimit është rrëzuar në shkallën e parë të Gjykatës Administrative.

Video