Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për mbështetje e infrastrukturës akomoduese të KQZ; ndërtimi i godinave të magazinimit, KSHZ/ISH-KQZ me fond limit 341,454,644.42 lekë.
Në raportin teknik të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, thuhet se qëllimi është përgatitja e projektit të lejes për zhvillimin e kësaj zone në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe urbane. Projekti përbëhet nga tre ndërtesa të ndara me njëra- tjetrën me fugë 10 cm. Ndërtesa e parë do të jetë me 2 kate mbi tokë dhe do të shërbejë për ambiente zyra. Dy ndërtesat e tjera do të jenë me 1 kat mbi tokë dhe do të shërbejnë si magazinë.
Territori i synuar për zhvillimin e projektit është i pozicionuar në Bashkinë Tiranë, në skajin Veri-Lindor të qytetit, në një distancë prej rreth 6.8 km nga qendra e qytetit dhe aksesohet përmes rrugëve kryesore, “Rruga e Dibrës” dhe “Myslym Keta”.
Ky territor ka formë thuajse trekëndore dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë me rrugën “Myslym Keta” në pjesën më të madhe të tij dhe gjithashtu në kontakt të drejtpërdrejtë me rrethrrotullimin drejt rrugës së Arbrit. Operatorët e interesuar do të kenë kohë deri më datën 25 nëntor 2024 për të paraqitur ofertat e tyre lidhur me këtë procedurë.