Janë lehtësuar kriteret e përfitimit të pagesës së papunësisë për personat që kanë mbetur jashtë tregut të punës për një periudhë të caktuar kohe. Në Fletoren Zyrtare janë publikuar ndryshimet e reja që ripërcaktojnë kategoritë përfituese të së ardhurës nga papunësia.
Nëse më përpara për të fituar pagesën e papunësisë duhej që personi të kishte kontribuar si punëmarrës në sigurimet shoqërore për një periudhë të paktën 1 vit gjithsej, brenda 24 muajve të fundit, me kusht që 2 muajt e fundit të ishin pa ndërprerje, me ndryshimet e fundit mjafton që të gjithë personat që kanë kontribuar si punëmarrës në sigurimet shoqërore për një periudhë të paktën 1 vit, të përfitojnë të ardhurën nga papunësia. Pra, është hequr kriteri që një qytetar duhej t'i kishte 2 muajt e fundit të punës pa ndërprerje dhe kushti që duhet t'i kishte paguar sigurimet në 24 muajt e fundit.
Papunësia mbetet një problem shqetësues në të gjithë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri dhe Mal të Zi. Sipas Barometrit të Ballkanit 2024, rreth 40% e qytetarëve të Shqipërisë dhe 33% e qytetarëve të Malit të Zi, e rendisin këtë si një nga tre shqetësimet kryesore. Kjo përqindje tejkalon edhe mesataren e Ballkanit që është 27%.
Nga të dhënat e Barometrit të Ballkanit 2024, Shqipëria rezulton me një normë të lartë papunësie. Nga 1000 të pyetur, 20% ishin të papunë në vendin tonë, duke e tejkaluar kështu nivelin e vendeve të tjera të rajonit.