Kompanitë shtetërore kryesisht ato të energjisë OSHEE, OST, KESH dhe ndërmarrjet e ujësjellësit i detyrohen buxhetit të shtetit një shumë rreth 58 miliardë lekë ose rreth 580 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.
Sipas Ministrisë së Financave detyrimet në këto vlera janë të dhënat e fundit që i takojnë 7 mujorit të vitit të kaluar.
Detyrimet përfshijnë tatime ta papaguara ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe borxhe për mos shlyerjen e kredive që kanë marrë ato ndër vite, për të cilat kishte hyrë garant qeveria.
Sipas Ministrisë së Financave borxhin më të madh ndaj buxhetit e ka KESH që menaxhon sektorin e prodhimit të energjisë me detyrime ndaj arkës së shtetit me vlerë 36.8 miliardë lekë.
Operatori i Transmetimit të Energjisë (OST) gjithashtu ka një borxh prej 8 miliardë lekësh, (80 mln euro) ndaj ministrisë së Financave, teksa Operatori i Shpërndarjes OSHEE ka ulur ndjeshëm detyrimet ndaj qeverisë me një vlerë vetëm prej 2.7 miliardë lekësh ose 27 mln euro.
Ndërmarrjet publike të ujësjellësit gjithashtu kanë akumuluar detyrime që i kalojnë të 10 miliardë lekët ndaj ministrisë së Financave.
Kompanitë publike janë përfshirë në projekte që janë mbështetur me kredi, kryesisht të huaj. Kompanitë e kanë marrë përsipër shlyerjen e tyre me garanci të qeverisë. Në shumicën e rasteve kompanitë kanë dështuar të shlyejnë kreditë duke ia lënë barrën garantorit në këtë rast qeveria.
Në kuadër të reformës në sektorin e energjisë, në muajin dhjetor të vitit 2020 u finalizua me sukses plani i masave për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike. Plani ofron një seri masash për parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura dhe disiplinimin e pagesave ndërmjet kompanive të sektorit energjetik dhe palëve kryesore të lidhura me to. Por pavarësisht rregullave akumulimi i detyrimeve mbetet një çështje shqetësuese në financat publike të vendit.
Sakaq totali i detyrimeve të ndërsjella ndërmjet kompanive publike dhe ndaj qeverisë arriti një vlerë totale prej 172 miliardë lekësh (1,7 mld euro) në fund te 8 -mujorit 2024.
Deri në muajin shtator 2024, OSHEE Group, sh.a., raporton se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën rreth 36.7 miliardë lekë. Nga të cilat, rreth 21 miliardë lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe rreth 16 miliardë lekë janë detyrime për kamatëvonesa.
Sakaq detyrimet e OSHEE ndaj KESH arritën në 47 miliardë lekë në fund të 8 mujorit 2024, dhe detyrimet e OST ndaj KESH mbi 11 miliardë lekë. Kjo shumë detyrimesh ndaj KESH që kap vlerën e 58 miliardë lekëve (580 milionë eurove) është e mjaftueshme për ndërtimin e një vepre madhore për prodhimin e energjisë ose për shlyerjen e të gjitha detyrimeve që KESH ka ndaj qeverisë.