Buxheti i 2025/ Më shumë se gjysma e buxhetit të mbrojtjes do të shpenzohet për forcat e luftimit

8 Nëntor 2024, 12:43Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bazuar në projektbuxhetin e vitit 2025, "Ministria e Mbrojtjes" këtë vit do të ketë në dispozicion 52.7 miliardë lekë ose 4.4 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Kjo rritje e fondit reflektohet edhe në peshën që zë buxheti dedikuar kësaj ministrie krahasimisht me PBB-në. Këtë vit fondi përbën 2.01% të PBB-së, ndërkohë që në projektbuxhetin e vitit 2024 zinte 2% të PBB.

Por si do t'i alokojë "Ministria e Mbrojtjes" këto para, sipas zërave kryesorë? Në projektbuxhetin e publikuar parashikohet që prioritet do të jetë forca e luftimit për të cilën pritet të shpenzohen më shumë se gjysma e fondit total ose në vlerë absolute përkthehet në 28.8 miliardë lekë dhe 8.3 mld lekë do të shkojnë për mbështetjen e luftimit. Po ashtu me rëndësi paraqitet edhe zëri “mbështetja sociale për ushtarakët" dhe "emergjencat civile" që zënë 9.9% dhe 10.4% të fondit total që i dedikohet kësaj ministrie. Në të kundërt vetëm 1.5 miliardë lekë ose 3% e totalit do të shpërndahen për planifikim dhe menaxhim.

Ministria e Mbrojtjes synon të përmbushë reformat e nisura dhe realizimin e detyrave kushtetuese të Forcave të Armatosura (FA), angazhimeve ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, angazhimeve të FA në kuadër rajonal dhe në aftësitë trajnuese të vetë FA.

Objektivat kryesore të përcaktuara nga "Ministria e Mbrojtjes" tregojnë se ky fond do të alokohet për të modernizuar kapacitetet dhe infrastrukturën e forcave të armatosura, përmes zhvillimit të kapaciteteve të FA-së sipas Planit Afatgjatë të Zhvillimit, Furnizimit të Forcave Tokësore me armatim modern dhe të përshtatshëm për bashkëpunim me aleatët në NATO.

Po ashtu synohet të shtohen investimet në infrastrukturë për përmirësimin e mjediseve të punës dhe objekteve ushtarake duke përfshirë  modernizimin e  pajisjeve dhe sistemeve kompjuterike.

Një tjetër prioritet është edhe zgjerimi i pjesëmarrjes në operacionet e NATO-s, duke rritur përfshirjen e Forcave të Armatosura në operacionet e Aleancës dhe pjesëmarrjen në misionet e reja që NATO mund të iniciojë.

Për të patur misione të sukseshme do të punohet për zhvillimin dhe mbajtjen në gatishmëri të  kapaciteteve për operacione mbrojtëse dhe kolektive, për t'u përgjigjur kështu ndaj krizave dhe emergjencave civile, si dhe një pjesë e fondeve do të shkojë për ofrimin e ndihmës për vendet e rajonit në kuadrin e NATO-s, OKB-së dhe BE-së.

Ashtu si edhe me herët, burimet njerëzore do të jenë në vëmendje të Ministrisë së Mbrojtjes për të ngritur figurën dhe integritetin e ushtarakut, përmes politikave për zhvillimin e personelit, promovimin në karrierë, trajtimin e drejtë të ushtarakëve, rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë, si dhe eliminimin e korrupsionit brenda Forcave të Armatosura.

Video